Pollo: Shqiptarët, të barabartë me evropianët
Ministri i Arsimit, Genc Pollo, është shprehur dje në Kuvend se shqiptarët janë të barabartë me evropianët në aplikimin për fonde në fushën e kërkimit shkencor. "Status i ri do të thotë të drejta të njëjta të kërkuesve e studiuesve shqiptarë me ata evropianë, për të aplikuar për projekte në programin FP7". Kështu u shpreh Pollo, duke shpjeguar përfitimin e vendit tonë në përfshirjen e projektit më të madh të BE-së për kërkimin shkencor. Dy ditë më parë vizitoi vendin tonë komisioneri Evropian për Shkencën dhe Teknologjinë, Janezh Potocnik, në përgjigje të një ftese të ministrit të Arsimit, Pollo. Komisioneri Potocnik, në deklaratën e tij para komunitetit shqiptar të kërkuesve shkencore në një konferencë mbi programin madhor të BE për shkencën, për Programin e 7-të Kuadër të Kërkimit Shkencor dhe Zhvillimit Teknologjik, apo siç njihet shkurt FP7 tha se ka një buxhet prej 54 miliardë eurosh në periudhën 2008-2013. Shqipëria është anëtarësuar një vit më parë në këtë projekt dhe tani ka marrë statusin i ri si vend i asociuar, pra vend me të drejta të plota për të përfituar nga fondi i madh i shkencës.