E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Firma shkeli marrëveshjen për kartat

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se ka shkelur afatin kontraktor në lidhje me procesin e kartave të identitetit. Duke iu rikthyer sërish akuzave dhe shqetësimeve për procesin, PS bëri një tjetër denoncim në lidhje me këtë çështje. Nënsekretari për çështjet ligjore në këtë parti, Damian Gjiknuri, tha se sipas kontratës koncesionare, sistemi i aplikimit duhej të ishte ngritur 4 muaj pas lidhjes së kontratës në të gjithë Shqipërinë, pra më 21 nëntor 2009, ndërsa në dokumentin e tenderit ky afat ka qenë 3 muaj. "Prodhimi i parë i kartës së ID duhej të ishte bërë 4.7 muaj nga lidhja e kontratës, pra më 20 dhjetor 2008, ndërkohë që ky prodhim u realizua vetëm më 10 shkurt 2009", sqaroi Gjiknuri. Gjiknuri u shpreh se në dokumentin e tenderit dhe në ofertë kanë qenë të parashikuara mbi 100 stacione të lëvizshme aplikimi, por deri më sot ato nuk janë përdorur, duke ndikuar direkt mbi situatën. Ndaj, ai e cilësoi si shkelje të hapur të kushteve të tenderit dhe të ligjit të koncesionit. Gjiknuri ripërsëriti kërkesën e PS-së për të dhënë karta identiteti falas, duke theksuar se qeveria harxhon me miliona euro për reklama elektorale dhe nuk ka para për fushatën e sensibilizimit për aplikim. Madje, sipas tij, edhe pse në kontratë është parashikuar fushata e sensibilizimit, që në këtë rast i takon Ministrisë së Brendshme, nuk ka ushtruar asnjë kujdes, në mënyrë që të bëjë të mundur realizimin e këtij detyrimi. Gjiknuri bëri një bilanc të dëmeve që janë shkaktuar dhe shumës që vihet për penalizim, ndërsa theksoi se ideja e PS-së për të dhënë karta identiteti falas nuk ka faturë më të madhe se 6 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›