E Diel, 1 Nëntor 2026

Britanikët vendosin për ekstradimin e Ilir Kumbaros

Gjykata e Londrës dha dje vendimin për deportimin e tij drejt Shqipërisë. Ish-SHIK-asi akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha

Gjykata britanike mori dje vendimin për ekstradimin në Shqipëri të ish-shikasit Ilir Kumbaro. Ish-oficeri i lartë i Shërbimit Sekret, Kumbaro, pritet të kthehet në Shqipëri për t’u përballur me akuzat për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Kumbaro ka të drejtë të apelojë vendimin e dhënë për ekstradimin e tij në Gjykatën e Lartë Britanike. Organizata Amnesty International ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Londrës për ekstradimin e ish-zyrtarit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro. “Kumbaro iu fsheh suksesshëm Drejtësisë për 13 vjet. Por në asnjë rast nuk mund të ketë parajsë për ata që rrëmbejnë dhe torturojnë të pafajshmit”, - ka deklaruar AI.
Arrestimi
Ilir Kumbaro u arrestua në Londër në muajin tetor, pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpoli dhe pas një kohe të gjatë nën survejim. Burime të “Scotland Yard” në Londër bënë të ditur për mediat angleze se Kumbaro kishte ndërruar disa herë adresën e banimit në kryeqytetin britanik për të mos rënë në gjurmët e policisë. Gjatë kësaj kohe, Kumbaro është mbajtur nën vëzhgim për të konfirmuar faktin nëse ai ishte në të vërtetë personi që kërkohej nga drejtësia shqiptare apo nëse kishin të bënin me një person tjetër. Autoritetet britanike në datën 6 tetor kanë zhvilluar një gjyq, që ka pasur si palë Ilir Kumbaron, i cili duhet të paraqiste dokumentet pranë Gjykatës Britanike që të vërtetonte se ishte personi që identifikohej e jo një tjetër.
Kërkimi
Kumbaro u ndalua në kryeqytetin britanik, Londër, pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpoli, pasi kishte qenë për një kohë të gjatë në mbikëqyrje. Autoritetet policore Britanike sqaruan për mediat atje se pas një hetimi disamujor u bë e mundur gjetja e vendndodhjes së tij. U raportua se i kërkuari kishte ndërruar disa herë vendqëndrimin në Londër që policia të mos binte në gjurmët e tij. Madje, policia britanike kishte kërkuar disa kohë më parë nga policia shqiptare foton e Ilir Kumbaros për ta krahasuar me personin që kishte në vëzhgim. Ish-drejtori i njërës prej drejtorive të Shërbimit Informativ Kombëtar, Ilir Kumbaro, po kërkohej nga Prokuroria dhe Interpoli shqiptar me një emër të rremë. Pas dështimit për arrestimin e tij, duke e kërkuar me emrin e vërtetë, agjentët e hetimit kishin marrë informacione se Ilir Kumbaro fshihet jashtë Shqipërisë me një identitet të rremë. Dyshimet e Prokurorisë dhe Interpolit janë se që prej vitit 1999, kur mendohet se ka ikur nga Shqipëria, Ilir Kumbaro, njëri nga katër ish-shikasit e akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ka qëndruar në Angli, por autoritetet e këtij vendi i kthyen përgjigje negative Prokurorisë dhe Interpolit shqiptar për arrestimin e tij. Me këtë emër, Interpol Tirana dhe Prokuroria shqiptare dhanë adresën e saktë të banimit të Kumbaros në Angli, por autoritetet britanike kthyen përgjigjen “u verifikua subjekti i kërkuar nga ana juaj, por nuk ndodhet këtu”. Në këto kushte, mësohet se urdhërkërkimi ndërkombëtar për Ilir Kumbaron është rinovuar tashmë dhe të dhënave mbi identitetin e tij u është shtuar edhe një emër i dytë, i rremë, që dyshohet se përdoret nga ish-zyrtari i Shërbimit Informativ për t’i shpëtuar ndjekjes dhe arrestimit nga policia.

Dosja “Hoxha”

Ilir Kumbaro ishte në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2003, kur Prokuroria e Tiranës arrestoi tre të akuzuarit e tjerë për ngjarjen, Arben Sefgjinin, Avni Koldashin dhe Budjon Meçen. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro ka qenë i pranishëm gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të tre personave, Ziso Kristopullit, Remzi Hoxhës dhe Avdyl Loshajt. Ata dyshohet se janë mbajtur në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku, sipas hetimeve, janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga punonjësit e Shërbimit Informativ. Tashmë, për “torturimin” dhe “rrëmbimin me pasoja të rënda” për Remzi Hoxhën, Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, ndodhen në bankën e të akuzuarve te Krimet e Rënda: Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK-ut për Degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Ilir Kumbaro, ish-drejtor i SHIK-ut në Drejtorinë Qendrore; Avni Koldashi, ish-shef i Bazës së Vëzhgimit; Budjon Meçe, ish-inspektor.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›