E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: “Aplikimi për statusin, qeveria të konsultohet me BE-në”

Statusi i kandidatit, reagon kryetari i Komisionit të Jashtëm, deputeti i PD-së. “Çështja e datës së aplikimit nuk duhet të shndërrohet në një obsesion politik”

Eljona Ballhysa
Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme, deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, ka dalë kundër qëndrimit të qeverisë për të aplikuar medoemos brenda qershorit për statusin e vendit kandidat. Zogaj është shprehur dje se qeveria nuk duhet të nxitohet dhe çdo vendim për statusin e vendit kandidat duhet të ndërmerret në konsulta me vendet e BE-së. Të njëjtin mendim ndan dhe nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme, socialistja Arta Dade. Edhe ajo bën thirrje për reflektim dhe thekson se aktualisht e gjithë vëmendja e qeverisë duhet të përqendrohet në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike si kusht vendimtar për ecurinë e proceseve integruese të vendit në BE.
Qëndrimi
Një ditë pas apelit që Brukseli i bëri Shqipërisë për të mos aplikuar për statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian, pozita dhe opozita bashkohen me të njëjtin qëndrim, duke i çuar qeverisë shqiptare të njëjtin mesazh. Kryetari i Komisionit të Jashtëm Preç Zogaj dhe njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike, duke nënkuptuar se nxitimi për këtë aplikim do të ishte në dëm të vendit tonë, ka theksuar se një hap i tillë duhet të merret pa dyshim duke qenë në kontakt me autoritetet ndërkombëtare. “Një kërkesë për ta futur në sirtar, një aplikim për ta futur në frigorifer dhe aq më keq një kërkesë prej së cilës mund të mbahet një qëndrim tjetër, neve nuk na intereson. Në këtë kuptim, unë mendoj se çështja e datës nuk duhet të shndërrohet në një obsesion politik, o tani, o më vonë, para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve, kjo është një gjë që ne jemi gati ta bëjmë, kemi vetëdijen se ka ardhur momenti për ta bërë, ndërkohë që data do të vendoset në konsultim me partnerët”, - u shpreh Zogaj. Ndërsa nënkryetarja e Komisionit, Arta Dade, është shprehur se kreu i qeverisë para se të bëjë deklarata të nxituara duhet të angazhohet seriozisht për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke nisur me procesin e pajisjes së votuesve me karta identiteti. “Kjo maxhorancë është thelluar në gabimet që ka bërë, sikurse është rasti i sulmeve ndaj institucioneve të pavarura apo ligji i lustracionit dhe një sërë ecurish të tjera për të cilat kritikat nga Bashkimi Europian nuk kanë munguar. Për këtë arsye, unë do ta quaja mençuri nga ana e maxhorancës që qeveris vendin tashmë që të konsultohet me autoritetet e Komisionit Europian, sikurse shprehet edhe rezoluta që ne kemi kaluar në Parlamentin e Shqipërisë”, - tha Dade.
Brukseli
Një ditë më parë, Brukseli, nëpërmjet komisionerit për zgjerimin Oli Ren, i bëri thirrje Shqipërisë të marrë seriozisht kushtin e zgjedhjeve dhe plotësimin e kushteve të tjera, para aplikimit për statusin kandidat. Ndërsa qeveria shqiptare ka deklaruar disa herë se do ta hedhë këtë hap gjatë presidencës çeke, komisioneri Ren rekomandoi vazhdimin e reformave dhe zbatimin e MSA-së. “Se kur do të ishte e mençur të aplikohej, rekomandimi ynë është gjithnjë që në fillim garantoni që të keni gjurmë provash të dukshme dhe të forta të zbatimit të MSA-së. Garantoni se keni bërë reforma bindëse që lidhen me integrimin europian. Dhe sigurisht garantoni që keni stabilitetin politik të nevojshëm dhe pjekurinë demokratike në mënyrë që të mund të lëvizni drejt hapit tjetër”, - deklaroi Oli Ren, ndërsa theksoi se Shqipëria duhet të zbatojë me seriozitet kushtet e vëna. “Pra për secilin prej vendeve ka ende detyra shtëpie për t’u bërë. Dhe këshilla ime është: Ju lutem, merrni këto kushte me seriozitet në mënyrë që aplikimi juaj për kandidaturën të mos ju qëllojë mbrapsht, por që të shtrojë rrugën për hapin tjetër, atë të marrjes së këtij statusi”, - vijoi Ren. Deklarata e Ren duket se është në të njëjtën logjikë me deklaratat e herëpashershme të përfaqësuesve të Çekisë, e cila mban dhe presidencën e BE-së dhe që ka këshilluar Shqipërinë që të mos nxitohet për të aplikuar për statusin pasi, sipas tyre, BE-ja tashmë është e “zënë” me krizën ekonomike.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›