E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve, rrëzohet neni që detyron sigurimin e banesave me bashkëpronarë



Gjatë mbledhjes së djeshme, deputetët e Komisionit Parlamentar të Ligjeve rrëzuan Nenin 36 të draftit të Ministrisë së Punëve Publike që detyronte banorët e pallateve që të paguanin siguracion të detyrueshëm për mbrojtjen nga zjarri. Si deputetët e
PD-së, ashtu dhe deputetët e PS-së, u shprehën kundër këtij neni. Deputeti Elmaz Sherifi argumentoi se vendi po përballet me pasojat e krizës ekonomike dhe nuk mund të miratohet një ligj që detyron banorët të paguajnë sigurim të detyruar financiar për pronën e përbashkët. “Nëse ne nuk e ndryshojmë këtë nen, ligji do të mbetet i pazbatueshëm. Ekonomia botërore ndodhet në krizë dhe ne po vuajmë pasojat e saj. Ne nuk mund të detyrojmë banorët që të sigurojnë shtëpitë”, - është shprehur Sherifi. Edhe deputetët e PD-së, Shehu dhe Çobaj, u shprehën kundër këtij neni.
“Mendoj se ne duhet të pranojmë ta ndryshojmë nenin. Nuk mund të detyrojmë banorët të sigurojnë shtëpitë. Nëse kjo do të bëhet, s’mund të bëhet në këtë ligj dhe në këtë moment”, - është shprehur Sali Shehu. Neni 36 i ligjit parashikonte që asambleja e banesës me bashkëpronarë të sigurojë pronën e përbashkët. “Sigurimi i detyrueshëm i pronës së përbashkët përfshin edhe sigurimin kundër zjarrit”. Kjo dispozitë u rrëzua gjatë diskutimit për çdo nen. Projektligji për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit parashikon një sërë detyrimesh ligjore reciproke që kanë banorët e një ndërtese banimi për të kontribuar në kostot për administrimin dhe mirëmbajtjen e saj. Në draft përcaktohet detyrimi për regjistrimin ligjor jo vetëm të pronës, por edhe të aktit të bashkëpronësisë, i cili për herë të parë hyn si një koncept i ri. Projekti përfshin ngritjen e asamblesë së bashkëpronarëve, format e administrimit të bashkëpronësisë, etj.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›