E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK: Topalli po përdor politikisht fëmijët për anëtarësimin në NATO



Partia Demokristiane ka reaguar dje për aktivitetin e organizuar nga kryetarja e Kuvendit një ditë më parë, ku morën pjesë nxënës të shkollave nëntëvjeçare të Tiranës në maratonën “Unë në NATO”. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, nënkryetari i PDK-së e ka cilësuar këtë aktivitet përdorim politik të fëmijëve nga Topalli. Sipas PDK-së, ky është një veprim në kundërshtim me etikën politike dhe abuzim me njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë moderne, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Në këto ditë të shënuara për vendin tonë, Partia Demokristiane denoncon abuzimin me sinqeritetin e fëmijëve duke i përdorur ata politikisht për gjoja festimet me rastin e pranimit të Shqipërisë në NATO. Gëzimin e ligjshëm të kombit shqiptar për këtë arritje me rëndësi të jashtëzakonshme politikanë si nënkryetarja e Partisë Demokratike, zonja Topalli, po përpiqen ta personalizojnë pranimin e Shqipërisë me të drejta të plota në organizatën më të fuqishme politike ushtarake të botës. Përdorimi i fëmijëve me bluza ku ishin shkruar “Unë në NATO”, të kujtonte "pionerët e Enverit", që sot mund të quheshin me pa të drejtë "pionerët e Jozefinës". Përdorimi i ngjyrës politike të PD-së, blu, në vend të ngjyrës së flamurit tonë kombëtar në bluzat e fëmijëve, ishte një abuzim tjetër me vlerat e vërteta të kësaj ngjarjeje të pakrahasueshme me ndonjë të tillë më parë në historinë tonë kombëtare”, - është shprehur Vladimir Beja, ndërsa ka vlerësuar kontributin politik të të gjitha partive për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›