Padia e Mediut, Prokuroria e Tiranës lë pa zot “dosjen”
Tiranë - Tri ditë pas padisë penale të dorëzuar nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundër kryeprokurores Ina Rama dhe prokurorit Sokol Stojani, Prokuroria e Tiranës ende nuk i ka dhënë drejtim shqyrtimit të saj. “Alania” u interesua dje pranë organit të akuzës në kryeqytet, ndërsa burime zyrtare të institucionit u shprehën se padia është regjistruar si e tillë ndërsa afati normal i shqyrtimit të një padie është zakonisht 4-5 ditë. Gjithsesi, burime nga organi i akuzës bënë të ditur se, “nisur nga natyra e padisë, trajtimi i saj do të bëhet konformë të gjitha rregullave ligjore ndërsa për të rritur shkallën e transparencës, trajtimi mund të bëhet edhe pas konsultave më të pjekura me Këshillin e Prokurorëve”. Kryeprokurorja Ina Rama dhe prokurori Sokol Stojani ndodhen në një vizitë pune në Budapest, ndërsa mendohet se prokurorët e Tiranës kanë vendosur të mos caktojnë prokuror për padinë pa bërë konsultat e duhura ligjore. Si rregull, për çdo padi caktohet një prokuror që e merr në shqyrtim, nga ku më pas referuar Kodit Penal dhe atij Civil vendos për thellimin e hetimit apo pushimin e çështjes. Për herë të parë në Shqipëri, kreu i akuzës qendrore paditet penalisht për dy akuza të konsumuara. Paraditen e së hënës, në ambientet e hotel “Rogner” në kryeqytet, avokatët Ardian Visha dhe Petrit Serani, që mbrojnë interesat ligjore të Mediut, dolën para mediave dhe detajuan kallëzimin ndaj kryeprokurores Rama dhe drejtorit të Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Stojani. “Më datën 25 prill 2008, shtetasja Ina Haxhi Rama, në cilësinë e prokurores së Përgjithshme në Republikën e Shqipërisë, në bashkëpunim me grupin e prokurorëve që janë marrë me hetimin e çështjes referuar më lart, kanë organizuar një konferencë për shtyp në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme duke publikuar në mënyrë të paligjshme jo vetëm përmbajtjen e aktit procedural së heqjes së imunitetit tim si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, por edhe duke u shpërndarë gazetarëve të pranishëm kopje të këtij akti. Kryerja e veprimit të mësipërm vjen në kundërshtim me Nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe Nenin 6, pika 2 e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Ky veprim është i lidhur me dashjen dhe qëllimin e saj kriminal në kryerjen e veprës penale të diskreditimit politik dhe publik të figurës sime, si dhe pasojave që konsistojnë në dëmtimin e interesave të mia si shtetas, të partisë politike që unë përfaqësoj”, - shkruhet në padinë e Mediut për kryeprokuroren Ina Rama.
25 Mars 2009