Berisha në Bosnje Hercegovinë nënshkruan marrëveshje për lëvizjen e lirë
Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina angazhohen të hapin ambasadat e tyre në të dy shtetet ndërsa kanë nënshkruar dhe marrëveshjen e lëvizjes së lirë. Lajmi u konfirmua nga kryeministri Berisha, i cili zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Bosnje Hercegovinë ku u takua me homologun e tij, Nikola Spiriç. “Kemi vendosur të hapim një ambasadë në Bosnje Hercegovinë. Këtë e premtova gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe do ta mbaj këtë premtim”, - është shprehur Berisha. Gjatë takimit, kryeministri Berisha dhe homologu i tij, Nikola Spiriç, diskutuan dhe për inkurajimin e biznesit boshnjak që të investojë në Shqipëri. “Shqipëria është një vend i vogël, por që ka potencial të jashtëzakonshëm për investimet e huaja. Ajo ka rreth 400 kilometra vijë detare, rreth 95 % e së cilës është e paprekur dhe investitorët e Bosnje Hercegovinës janë të mirëpritur. Shqipëria është e pasur me ujëra, do të ndërtohen 400 HEC-e të dimensioneve të ndryshme dhe investitorët e Bosnje Hercegovinës janë mëse të mirëpritur të investojnë në prodhimin e energjisë hidrike. Gjithashtu, mund të bashkëpunojmë për gazsjellës dhe Shqipëria ka depozita shumë të mëdha gazi, të cilat mund të mjaftojnë për të gjithë rajonin”, - u shpreh kryeministri. Referuar marrëveshjes së nënshkruar dje për lëvizjen e lirë të qytetarëve ndërmjet dy vendeve, kryeministri Berisha ftoi qytetarët e Bosnje Hercegovinës të vizitojnë Shqipërinë këtë verë. Duke folur për proceset integruese, kryeministri Berisha u shpreh se, “të dy vendet janë në procesin e integrimit. Në prill, Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s. Ne mbështesim plotësisht integrimin e Bosnje Hercegovinës në NATO”.
25 Mars 2009