Brixh s’takon Terrin
Mançester Siti i ka shkaktuar humbjen e parë në fushën e vet çelsit të Karlo Ançelotit, në fitoren madhështore 4-2 në “Stamford Brixh”. Por më shumë se për rezultatin mediat angleze janë marrë edhe me faktin se në fillim të ndeshjes Uejn Brixh nuk përfilli Xhon Terrin duke mos shtrënguar duart me të. Brixh, i cili hoqi dorë nga vendi i tij në Kombëtaren e Anglisë pas skandalit të Territ me ish-të fejuarën e tij, Vanesa Peronsel, luajti një rol të dorës së parë në fitoren e Sitit. Frenk Lampard i dha avantazhin liderëve të Premier Ligës në minutën e 42-të, por Karlos Tevez barazoi një minutë përpara përfundimit të pjesës së parë pas një gabimi të Territ dhe portierit Hilario. Kreig Belami realizoi për miqtë në minutën e 51-të me një gjuajtje nga një kënd i vështirë e që mund të shmangej nga Hilario. Ndërsa Tevez shënoi golin e tij të dytë nga pika e penalltisë pas një faulli të Huliano Beleti, i ndëshkuar ky edhe me karton të kuq në minutën e 76-të. Pesë minuta më pas me kartonin e kuq u ndëshkua edhe Mikael Balak. Disa minuta para përfundimit të krejt ndeshjes, Kreig Belami sigloi edhe golin e katërt dhe të dytin personal. Ndërsa Lampard, me golin e tij nga pika e bardhë në minutën e 90-të do të reduktonte deficitin e londinezëve. çelsi është tani në krye me vetëm një pikë më shumë se Mançester Junaitid, ndërkohë që Siti u ngjit në vendin e katërt duke lënë pas Totenhemin.