E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria heton “Ruzhdien”



Aristir Lumezi

Prokuroria e Fierit ka gati dosjen e hetimit për qendrën e votimit të fshatit Ruzhdie dhe e ka gati për ta dërguar në gjykatë. Në zgjedhjet e 28 qershorit, komisionerët socialistë, ku kishin dhe sekretarin e qendrës së votimit, akuzuan dhe i denoncuan në prokurori të djathtët për kërcënime me jetë gjatë kryerjes së detyrës. Për këtë shkak ata braktisën qendrën e votimit duke marrë dhe vulën e votimit. Votimi në këtë qendër u zhvillua vetëm me përfaqësuesit e PD-së dhe fletët u vulosën vetëm me vulën e kryetarit. Nga ana e tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shprehet se ka paditur në Prokurorinë e Fierit sekretarin dhe tre komisionerët socialistë të qendrës së votimit të fshatit Ruzhdie, “për braktisje të detyrës shtetërore” ditën e zgjedhjeve duke marrë me vete dhe vulën e sekretarit. Revista e përjavshme “Mapo”, në shkrimin e saj “Bomba e Ruzhdies, prova e manipulimit të zgjedhjeve”, të gazetarit Lorenc Vangjeli, tregon se prokuroria tashmë ka mbyllur hetimin për këtë qendër votimi, hetim i cili ka nxjerrë parregullsi të rënda. Ditën e hyrjes në Kuvend, socialistët sfiduan PD duke kërkuar hapjen e kutisë së Ruzhdies. Nëse kjo kuti do dilte e rregullt, Gramoz Ruçi, i cili dukej se kishte dijeni për hetimin e prokurorisë Fier, angazhohej që të hiqte dorë nga mandati i deputetit. Sipas revistës, prokuroria në hetimin e saj ka marrë në dorëzim materialin zgjedhor të fshatit Ruzhdie, dhe mbi bazën e tij ka dalë në përfundimin se në këtë qendër votimi kanë votuar dhe banorë të cilët në 28 qershor ishin jashtë shtetit. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli tha dje për “Panorama” se “Prokuroria e Fierit ka marrë materialet zgjedhore për t’i hetuar, si listat e zgjedhësve dhe procesverbalet e votimit”. Sipas tij, KQZ nga ana e saj ka bërë kallëzim penal ndaj sekretarit të QV i cili bashkë me vulën u largua nga qendra e votimit, duke e konsideruar braktisje të detyrës, veprim që ndëshkohet penalisht. “Mapo” jep detaje të hetimit të Prokurorisë së Fierit, kur rreth 80 vota në fshatin Ruzhdie janë falsifikuar për shkak se të paktën 80 persona është vërtetuar nga prokuroria se në datën 28 qershor nuk ndodheshin në Shqipëri. Për të vërtetuar këtë fakt, prokuroria ka bërë dhe ekspertizën e regjistrit të zgjedhësve, ku kanë firmosur votuesit ditën e votimit. Pasi është bërë ekspertiza kriminalistike e firmave të hedhura në listat e votuesve, rezulton se ato janë falsifikuar tërësisht nga komisionerët që vazhduan të qëndrojnë në procesin e votimit, komisionerët e Partisë Demokratike. Po sipas revistës elementi i tretë i shkeljeve në këtë qendër votimi janë mospërputhjet e shumta të numrave serialë të dokumenteve të identifikimit, pasaportave apo kartave të identitetit që janë përdorur nga zgjedhësit e tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›