PS: Të hapet Ruzhdia, jemi vend i NATO-s
Partia socialiste i kërkoi dje qeverisë të pranojë hapjen e kutisë së Ruzdies. Në një reagim ndaj deklaratës së ministrit të jashtëm Ilir Meta, deputetja Olta Xhaçka në emër të PS-së tha se maxhoranca po kërkon të grabisë dhe zgjedhjet e ardhshme. “Sot në vitin 2010 kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, e shqiptarët aspirojnë të përfshihen në hapësirën shengen e të integrohen në familjen europiane, pushtetarët nuk gjejnë kurajën të hapin as kutinë e Ruzhdies ku qahen se kanë humbur padrejtësisht një mandat. Edhe ministri i jashtëm i Ruzhdies mesa duket kërkon që bashkë me kryeministrin e Ruzhdies të grabisin edhe zgjedhjet e ardhshme ashtu sic grabiten ato që shkuan. Ne u bëjmë thirrje të mos humbin kohë po ti përgjigjen ofertës së opozitës për transparencë pasi edhe Ruzhdia duhet të bëhet si Europa, jo Shqipëria të bëhet si Ruzhdia”, u shpreh Xhaçka.