E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja Ruçi-Berisha për votat e Ruzhdies



çështja e Ruzhdies u bë kryefjala e debatit parlamentar ndërmjet socialistëve dhe demokratëve në seancën parlamentare të së enjtes së shkuar. Deputeti i PD-së, Gramoz Ruçi, duke folur në Kuvend i kërkoi kryeministrit që të hapë kutitë e kësaj komune në atë sallë dhe shohë se sa të ndershme kanë qenë votimet në këtë komunë. “Në qoftë se bindja jonë se zgjedhjet janë kërcënuar shumë seriozisht nga një mekanizëm grabitje, përmes korrupsionit të komisionerëve, nëse nuk vërtetohet plotësisht përpara syve të gjithë shqiptarëve dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar, unë personalisht jo vetëm që ju kërkoj ndjesë publike, por jap dorëheqjen nga gjithë skena politike dhe shkoj në shtëpi së bashku me 8 deputetët e qarkut të Fierit. Topi është në anën tuaj”, tha Ruçi. Kreu i Asamblesë së PS-së, duke iu drejtuar Kryeministrit theksoi se “opozita e hodhi hapin e parë, përfundimisht topi është në fushën tuaj z. Berisha”. Kryeministri theksoi se “”Zoti Ruçi e mbyllët fjalën tuaj duke më thënë se Topi është në fushën time. Do më lejosh të bëj një shpjegim. Në fëmijërinë time të hershme në fshatin tim nuk kishte top, por unë kisha kalë dhe që nga atëherë gjer sot unë kam mbetur kavalier. çfarë t’i bëj unë topit?”. I menjëhershëm ka qenë edhe batuta e vetë Ruçit ndaj Kryeministrit. “Për sa i përket topit dhe kalit, vërtetë gjetja s’është e gjetur. Në qoftë se unë përdora fjalën top, opozita hodhi sot një hap, e hodhi një hap këtu në Parlament dhe me një propozim konkret të cilin ende se keni lexuar dhe pa e lexuar fare dhatë përgjigje që as doni ta lexoni. Kurse ju thatë se jeni kavalier dhe jeni i hipur në kalë. Zoti Berisha mirë kur e keni kalin, por këtu bëhet fjala që ka ngordhur kali, si mund të jesh kavalier kur vendi është në krizë politike, institucionale dhe ekonomike. Ja pse kemi ardhur ne zoti Berisha, jo për kavalierin, për kalin”, theksoi Ruçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›