Fiton Partizani, Ada “kërcënon” Elbasanin
Leonard Karaj
Partizani ka fituar në Lezhë, Kamza ka ndalur Elbasanin, ndërsa Ada ngjitet kërcënueshëm në renditje. Barazim në Librazhd dhe Cërrik.
Java e 20-të e Kategorisë së Parë ka dhuruar humbjen e radhës së skuadrës së Elbasanit. Verdheblutë janë mundur 2-1 nga Kamza, në fushën e kësaj të fundit. Takimi ka nisur dhe përfunduar nën siglën e dy vëllezërve Dalipi. Klevis, sulmuesi i Kamzës ka shënuar një gol më shumë për skuadrën e tij, duke mundur të vëllanë Endrin, i cili veçse ndezi sfidën në 15 minutat e fundit, pas shënimit të golit. Ndërsa përsa i përket skuadrës së vendit të parë, Bylisit, ajo nuk njeh rivalë dhe tashmë e shikon veten në Superligë. Ballshiotët kanë fituar 3-0 ndaj Skraparit falë golave të Hamzajt, Dimos dhe Kules.
Fitore të çmuar, kësaj here në transfertë, ka arritur Partizani, pikërisht në Lezhë në stadiumin “Brian Filipi”, falë një goli të Ardit Beqirit dhe një autogoli të mbrojtësit vendas Danaj. Në këtë mënyrë, Partizani shton shanset e veta për t’u bërë pjesë e kreut të Kategorisë së Parë, çka krijon mundësira edhe për ngjitjen në Superligë. Ndër skuadrat e kreut, ka fituar edhe Ada, edhe pse minimalisht 1-0, ndaj Gramshit. Megjithatë, goli i vetëm ka mjaftuar për t’u dhënë 3 pikët velipojakëve, të cilët vijojnë të luftojnë fort për një vend mes katër skuadrave të para, për t’u bërë pjesë e “play-out”-it në fund të garës. Barazim në Cërrik, mes Turbinës vendase dhe Memaliajt. Nga një gol për secilën skuadër, ka fiksuar 1-1, që u shkon më shumë për shtat miqve, që ishin udhëtues. Luftëtari nuk ka lëshuar pe në shtëpi, ku ka pritur Burrelin, të cilin e ka mundur 2-1. Sa u takon skuadrave që rrezikojnë, javë jopozitive ka qenë për Sopotin. Librazhdasit nuk kanë mundur dot të marrin 3 pikë në shtëpi, përballë Bilishtit duke zhytur edhe më shumë gjendjen e tyre problematike.