Duka-Halili për kreun e FSHF-së
Nuk është ende zyrtare (pritet që Rudi Vata të dalë në një konferencë për shtyp) por sipas informacioneve pranë kandidatëve për kreun e FSHF-së, Rudi Vata nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 marsit për president të federatës së futbollit. Motivet dhe arsyet konkrete nuk janë bërë ende të qarta por Vata ka zgjedhur të bëhet pjesë e stafit të kandidatit tjetër, Refik Halili. Të dy së bashku ata kanë formuar një aleancë për të qenë sa më konkurrues përballë presidentit aktual Armand Duka. Pritet që gjatë këtyre ditëve, ish-futbollisti i Kombëtares të pranojë publikisht dorëheqjen nga gara dhe të deklarojë aleancën me presidentin e Tiranës, Refik Halili. Ndërkohë dje federata ka zyrtarizuar edhe listën e kandidatëve dhe atyre që do të votojnë në këtë asamble. Komisioni i Verifikimit të Asamblesë së Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së, pasi shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e vënë në dispozicion nga sekretariati i FSHF-së, konstatoi se i gjithë dokumentacioni është i rregullt dhe në përputhje me statutin e saj. Kështu janë lejuar të kandidojnë për Komitet Ekzekutiv edhe Kreshnik çipi, Flamur Bime, Qazim Sejdini dhe Fatos Hoxha, personalitete këta që janë deputetë ose kryebashkiakë. Nga votuesit është zgjidhur rebusi te KF Partizani ku do votojë Paro Laçi, ndërsa nuk ka të drejtë vote vetëm KF Sukthi, klubi më i ri i regjistruar.