E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brokaj: Pse jam kundër qeverisë "Berisha-Meta"

Nga Darina Tanushi
Sabit Brokaj, nje prej anetareve me te vjeter te LSI shprehet se ky vendim duhej të ishte institucional dhe të merrej pas analizës së një bilanci real 

TIRANE-Një prej anëtarëve të vjetër të LSI-së, Sabit Brokaj u shpreh kundër bashkëpunimit të Ilir Metës me Sali Berishën. Ai tha se ky vendim duhej të ishte institucional dhe të merrej pas analizës së një bilanci real. Brokaj tha se qëndrimi i tij kundër nuk ka të bëjë me ndonjë rikthim në PS.
Zoti Brokaj, ju jeni një ndër anëtarët e vjetër të LSI-së, gjithashtu edhe socialist i vjetër. Si e pritët vendimin për të bërë koalicion me Berishën?
Unë e kam shprehur mendimin tim. Problemi shtrohet që ky si vendim duhet të ishte marrë pasi të kishte përfunduar plotësisht procesi i numërimit, në përputhje me analizën e bilancit real, karakterit të këtyre zgjedhjeve, rapor-teve me krahët, me kundërshtarët dhe natyrisht, të kishte karakterin e plotë institucional.
Ju, a e shprehët mendimin tuaj në mbledhjen e kryesisë? A do ta shprehni mendimin tuaj në Konventën e LSI-së që do të mbahet të martën?
Kjo çështje nuk është shtruar në diskutim në këtë mbledhje, megjithëse unë nuk kam qenë i pranishëm. As në konventë nuk do të jem.
Por, a keni komunikuar me kryetarin e partisë për këtë qëndrim që ai mbajti?
Unë efektivisht nga politika jam larguar, kur hoqa dorë edhe nga mandati i deputetit. Por prania ime në LSI vazhdoi, megjithëse jo aktive. Më është kërkuar nga drejtuesit që unë të jap kontributin tim në LSI deri në zgjedhje, në mënyrë që të mos dukej si largim. Për këtë, unë nuk mund t'i jepja vetes të drejtën që t'i kërkoja llogari kryetarit të LSI-së apo t'i imponoja një qëndrim. Kjo i takon vendimmarrjes së forumeve. Ky qëndrimi im në lidhje me këtë marrëveshje nuk ka të bëjë fare, që të jem i qartë, me ndonjë rikthim në PS apo pozicion atje, por unë thjesht nuk jam dakord me këtë lëvizje dhe kaq.
A do të ishte më mirë që LSI-ja të rrinte në opozitë, edhe nëse nuk krijonin dot qeverinë me PS-në, apo kjo ishte rruga e vetme e saj?
Unë nuk mund të them me detaje. Por unë mund të them se kjo çështje duhej trajtuar mirë, pastaj se çfarë ishte në dobi të LSI-së apo anëtarësisë së saj dhe të vendit, apo cilat variante ishin më të mirat, kjo duhej të caktohet vetëm në rrugë institucionale. Sepse ka disa variante si mund të reagohej, nuk është vetëm një.
Si mendoni se do të jetë e ardhmja e së majtës pas këtyre zgjedhjeve?
Të shikojmë zhvillimet më tej. Nuk mund të them me saktësi se çfarë mund të ndodhë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›