E Diel, 1 Nëntor 2026

Brokaj dhe Braho, qëndrime të kundërta

Vendimi i LSI-së për të nisur negociatat me Kryeministrin Berisha për krijimin e qeverisë së re sjell debate të forta në LSI. Dy ish-deputetë të kësaj force politike, Braho dhe Brokaj, e shohin me këndvështrime të kundërta këtë aleancë të re. Braho thotë se "koha e pret përsëri Metën si mjeshtër i krizave për ta zgjidhur këtë krizë. Meta ka provuar se është njeriu që është i vendosur për zgjidhjen e krizave dhe natyrisht dhe në këto kushte pas elektorale, LSI-ja merr pjesë në zgjidhjen dhe menaxhimin e kësaj krize me sukses". Braho u shpreh më tej se "nuk mund ta lëmë vendin në krizë, madje nuk mund të lejojmë që ata që e kanë krizën brenda ta implementojnë atë jashtë". Sipas tij, nga 765 ligje, 700 janë miratuar në bashkëpunim PD-PS, pra kanë qeverisur bashkë. "PS-ja thotë se LSI-ja po qeveris me qeverinë e ‘Gërdecit‘, ndërkohë që ata rrëzuan kërkesën e LSI-së për ngritjen e komisionit hetimor të Gërdecit", u shpreh Braho. Por krejt i kundërt me Brahon ka qenë në deklaratën e tij Sabit Brokaj. Ai ka theksuar se "më vjen keq që arrihet në qëndrime të tilla, që vetë Iliri ka dëm personal. Se Iliri është 40 vjeç, si mund të jesh faktor pa mbështetës, pa mbështetës të vërtetë militantë, mbështetës të qartë në qëndrimin e tyre jo mbështetës kulete, vetë Iliri është dëmtuar". Më tej ai theksoi se "u bë funksion i mbylljes së skandaleve dhe mbyllja e skandaleve që ofron LSI-ja, të atyre juridike apo kriminale si Gërdeci, e mban gjallë bashkëpunimin dhe është një konsum i madh i LSI-së në funksion të saj dhe kështu ka qenë edhe Ndoka dhe të tjerë. Saliu do t‘i shkojë deri në fund problemit, të shkatërrimit të LSI-së". Në të gjithë elementët e këtij bashkëpunimi, dy themeluesit e LSI-së kanë qëndrime të kundërta. Braho thotë se kjo bëhet pasi nuk mund të lënë elektoratin e majtë në mes të rrugës. Braho u shpreh se "nuk mund t‘i lëmë veteranët, pensionistët, minatorët, ushtarakët, s‘mund të lëmë këtë Kushtetutë në këtë gjendje siç është, Kodin Zgjedhor, PD-ja dhe drejtuesi i saj do të jenë nën presonin tonë të vazhdueshëm, që të mos tallet më me këto shtresa, pasi ne do t‘i përfaqësojmë ato denjësisht". Ndërsa Brokaj deklaroi se "po kjo zgjidhje çfarë është xhanëm, flitet se do zgjidhet kriza, kriza nuk zgjidhet nga ata që krijohet dhe që kanë provuar se nuk e zgjidhin". Brokaj komentoi edhe deklaratat që Meta bëri, ku pohonte se Rama i kishte ofruar një ofertë për t‘u bërë Kryeministër me vota të marra nga e djathta. Në vlerësimin e Brokajt, kjo zgjidhje do të kishte më shumë elementë pozitivë se negativë, pasi do të shërbente për të bashkuar të majtën dhe për ta risjellë atë në pushtet dhe do të vendoste Metën në postin e Kryeministrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›