Xhuveli mbështet koalicionin PD-LSI: Siguron stabilitet
Partia Republikane mblodhi dje Kryesinë e partisë për të analizuar zgjedhjet e 28 qershorit. PR i dha mbështetje të plotë koalicionit PD-LSI, ashtu sikurse bëri dje edhe PAA-ja e Lufter Xhuvelit. Nga burime pranë Kryesisë së kësaj force politike mësohet se vëmendja më e madhe e diskutimit ka qenë te rezultati i arritur në këto zgjedhje. Sipas kësaj force politike, duke pasuar parasysh Kodin e ri Zgjedhor dhe synimin për të shkatërruar partitë e vogla, PR-ja është e kënaqur me rezultatin e arritur, por analiza më e thellë për çdo qark do të bëhet pas disa javësh në një tjetër mbledhje Kryesie. Tani të gjithë bateritë e PR-së do të përqendrohen te Qarku i Beratit ku ata pretendojnë se u është rrëmbyer nga PS-ja një mandat i sigurt për vetëm 71 vota. Për republikanët, në këtë qark ka pasur probleme dhe ata do t‘i kërkojnë KQZ-së që të rishikojë kutitë e votimit. PR-ja është shprehur kritikuese ndaj Kodit Zgjedhor, duke theksuar se ai është diskriminues, por kjo mbetet për t‘u diskutuar në një kohë tjetër. Ata kanë pranuar se do të jenë sërish pjesë e qeverisë së mazhorancës, megjithëse nuk kanë diskutuar ende nëse do të përfaqësohen në qeveri me kryetarin Mediu apo me ministren aktuale të Shëndetësisë, Anila Godo, dhe kjo pikë do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së PR-së. Republikanët vlerësojnë marrëveshjen e arritur mes PD-së dhe LSI-së, pasi për ta nuk është shqetësuese. Pro kësaj marrëveshjeje është shprehur dhe një tjetër aleat i PD-së, tashmë i mbetur jashtë Kuvendit, PAA-ja e drejtuar nga Xhuveli. Sipas Xhuvelit, kjo ishte zgjidhja më e mirë për zbatimin e reformave dhe për të ruajtur zhvillimin e stabilitetin e vendit. Xhuveli u shpreh se "e konsiderojmë arritjen e kësaj marrëveshjeje si një hap të ri pozitiv që shërben për emancipimin e mëtejshme të politikës shqiptare". Ai nënvizoi se "nuk pajtohemi me qëndrimet konservatore të asaj pjese të klasës politike, e cila në vend që të pranojë humbjen dhe të kontribuojë në kapërcimin e problemeve kërkon të mbajë vendin pas fasadave politike". Dy ditë më parë, kreu i Partisë Socialiste ironizoi kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, duke e paralelizuar atë me kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli.