Brokoli “aleat” për diabetin, mbron enët e gjakut
Brokolit janë “miqtë më të mirë” të shëndetit të njeriut. Jo vetëm përmbajnë elemente të vlefshme antikancerogjen dhe kundër infarktit, por mbrojnë dhe nga dëmtimet që mund t’u shkaktohen enëve të gjakut nga diabeti. Të paktën ky është konkluzioni i një studimi të kryer nga universiteti britanik i Warwick. Këtë radhë efekti dobiprurës i kësaj perimeje i atribuohet “sulforafanolit”, një substancë që “inkurajon” prodhimin e një enzime që mbron indet qelizore të enëve të gjakut, dhe në të njëjtën kohë kundërshton praninë e molekulave që ndikojnë në dëmtimin e enëve të gjakut. Në bazë të literaturës shkencore, diabetikët kanë një risk 5 herë më të lartë për t’ju shfaqur sëmundjet e aparatit kardiovaskular, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë. Kjo për shkak të dëmtimeve që jep kjo sëmundje në enët e gjakut. Duke u nisur nga kjo, studiuesit britanikë kanë testuar në kushte laboratorike efektin e “sulforafanolit” mbi qelizat e enëve të gjakut të dëmtuar nga iperglicemia. Në këtë mënyrë kanë zbuluar se substanca ndikon në uljen me 73% të molekulave “të këqija” të quajtura Ros (Reactive Oxygen Species), përveçse aktivizojnë një proteinë “të mirë” të quajtur nrf2, përgjegjëse për prodhimin e enzimave antioksidante. “Hapi tjetër që do të ndërmarrim do të jetë ai i verifikimit të faktit nëse dieta e pasur me brokoli, do të ndikojë në përmirësimin e ndjeshëm të diabetit të sheqerit. Rezultat ky që ne e presim me siguri”, ka nënvizuar Paul Thornalley, koordinator i studimit, që është publikuar në numrin e fundit të revistës “Diabetes”.