E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi në pritje të “Gladiatorit të Artë”

Durrësi përgatitet për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit. 

OERD ULQINI

Këtë herë do të kemi prodhime klasike të kinematografisë, të cilat vijnë nga Estonia, Çekia, Rusia, Italia, Polonia, Turqia, madje edhe nga Iraku. Në garë janë 16 filma, të cilët u përzgjodhën nga 51 prodhime, të cilat aplikuan për të marrë pjesë në festivalin e Durrësit. Shqipëria do të prezantohet në konkurrim me katër prodhimet e fundit të saj, “Trishtimi i zonjës Shnajder”, “Mao Ce Dung”, “Sekretet” dhe “Koha e kometës”. Përmes një konference për shtyp, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako tha se, “qëllimi kryesor mbetet promovimi i qytetit dhe zhvillimi i mëtejshëm i turizmit kulturor”. Nga ana e tij, aktori Xhevdet Ferri e cilësoi këtë aktivitet si “një hap shumë të guximshëm jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë shkollën shqiptare të filmit”. Përshëndetjet më të sinqerta në emër të këtij aktiviteti kanë ardhur nga regjisori i njohur shqiptaro-amerikan Sten Dragoti, i cili do të mungojë në këtë festival për arsye shëndetësore. Por emra të tjerë “Vip” do t’i bashkëngjiten jurisë ndërkombëtare, që nga Mikele Plaçido, Arta Dobroshi, madje edhe përfaqësuesi i shkollës së famshme të regjisurës, së të ndjerit Stanley Kubrick. Duket se Durrësi që në herën e parë të këtij organizimi kërkon të bëjë përshtypje të thella tek publiku. Çmimi i madh i këtij festivali do të jetë “Gladiatori i artë”, një statujë me përmasa 35 cm, e cila do të jepet në ditën e fundit të aktivitetit. Jo rastësisht është zgjedhur gladiatori si simbol i këtij festivali, pasi ai konsiderohet si shumë përfaqësues për Durrësin e amfiteatrit romak. Për Xhevdet Ferrin ideja për të zhvilluar këtë festival në Durrës u poq me kohën. “Para së gjithash synojmë një promovim në nivel ndërkombëtar jo vetëm të qytetit, por të të gjitha punimeve kinematografike. Ato janë vërtet shumë cilësore, pasi i janë nënshtruar një procesi të vështirë përzgjedhës”, tha Ferri. Aktiviteti do të zhvillohet nga datat 23-31 gusht dhe është parashikuar shoqërimi i tij me konferenca të shpeshta për shtyp. Në përshëndetjen e tij, Dragoti u shpreh se “falë festivalit të Durrësit, Shqipëria dhe Ballkani do të njihen në botë si një burim i madh krijues”.  Hyrja e Irakut në këtë konkurrim ka bërë që aktiviteti i Durrësit t’i kalojë përmasat kontinentale. “Synojmë një festival në nivel botëror. Ky është vetëm fillimi, pasi më tej, me kalimin e viteve, kjo traditë do të konsolidohet dhe Durrësi do të shndërrohet në një kryeqendër globale të filmit klasik”, tha kryebashkiaku Dako. 

Çmimet

 Filmi më i mirë artistik (Gladiatori i Artë)
 Çmimi i  Jurisë
 Filmi më i mirë shqiptar
 Aktorja më e mirë
 Aktori më i mirë
 Çmimi i karrierës

Premiera “Koha e kometës”

Një nga premierat që do të përbëjë pikën më kulminante të festivalit është edhe filmi i regjisorit Fatmir Koçi, “Koha e kometës”. Është një film i realizuar mbi romanin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, në të cilin interpretojnë aktorët Blerim Destani, Masiela Lusha, Thomas Heinze, Luan Jaha, Genti Zenelaj, Xhevdet Jashari, Adem Karaga etj. Bëhet fjalë për Shqipërinë e 1914. Princi i Gjermanisë, Wied, është caktuar Mbret i Shqipërisë. Duke marrë një letër nga ekstremistët myslimanë i kërkohet të bëhet synet, por ai kundërshton. Myslimani Shestan dhe 4 miq të tij fanatikë myslimanë kërkojnë të mbrojnë vendin e tyre me luftë. Shestan takon një katolike që është dërguar në Shqipëri për të përcjellë misionin kundër vullnetit të saj. Dashurohen të dy. Shestani dhe luftëtarët e tjerë nuk luftojnë dhe çdo gjë ndryshon. Shestani gjeti dashurinë dhe braktis luftën, duke marrë Agnes në shtëpi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›