E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brook, legjenda e teatrit vjen në Elbasan

 

ELBASAN- Atëher kur feston përvjetorin e 10-të të tij, Festivali Ndërkombëtar "Skampa 2008", sjell një nga emrat botëror më të njohur të teatrit. Në një nga netët e festivalit, i cili çelet nesër në qytetin e Elbasanit, do të shfaqet edhe pjesa "Pse, pse", sjellë nga teatri "Schauspielhauses Zyrih & Teatri Garibaldi di Palermo", nën regjinë e Peter Brook. Drejtori i festivalit, Adonis Filipi, pjesëmarrjen e një shfaqje të tillë e krahason me standartet që synohen të arrihen pas çdo viti. Pse, pse" është shkruar nga Brook dhe Marie-Hélène Estienne. Brook ka realizuar njëkohësisht edhe regjinë ndërsa interpreton Miriam Goldschmidt dhe në sfond ka muzikë live të luajtur nga Francesco Agnello. Zgjedhja nuk ka të bëjë vetëm me emrin e regjisorit, por sepse Adonis Filipi e ka parë këtë pjesë gushtin e vitit që shkoi në Ohër. Prej aty lindi ideja e bisedimeve që të paktën një pjesë e Brook të shfaqej për publikun shqiptar. Sipas Filipit, Festivali ngrihet kundër stereotipit të komunikimit skenik e teatror dhe vetë krijimtaria e Peter Brook-ut ka në themel këtë parim. Ai është gjithmonë novator. Programi i "Skampa 2008" që do të vazhdojë deri më datën 10 tetor përfshin edhe një sërë shfaqjesh të tjera, shqiptare dhe të huaja. Kështu, pjesë në edicionin e 10-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor "Skampa 2008", do të jenë 5 trupa të huaja dhe 6 shqiptare. Përgjatë një jave ato do të ngjiten në teatrin "Skampa" të qytetit të Elbasanit. Nën drejtimin e Adonis Filipit, çdo vit ky festival shënon një sfidë artistike dhe menaxheriale të vazhdimësisë së tij, përmes ballafaqimit të ideve dhe shkëmbimit të eksperiencave. Drejtori i Qendrës së Artit pranë bashkisë së Elbasanit, Bashkim Peheshti, tha se "për këtë edicion, bashkia ka akorduar një fond prej 2 milionë lekësh, ndërsa pritet dhe fondi prej 1.5 milionë lekësh nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve". Sipas programit, në çdo ditë të festivalit do të prezantohen dy shfaqje, ndërsa do të organizohen dhe konferenca për shtyp. "Festivali synon produksione të reja, kështu që edhe pjesët shqiptare vijnë sipas kësaj logjike, për të pasur një kontakt të ri me spektatorin. Pavarësisht nga diferencat që mund të kenë trupat tona ato sjellin një sinoptikë të teatrit shqiptar gjatë një viti.", shprehet Filipi. Në këtë festival do të interpretojnë trupat e Teatrit "Skampa" me shfaqjen "Dasma", me regji të Erand Sojlit, trupa e teatrit "Dodona" e Prishtinës, Kosovë, me shfaqjen " Kopshti Zoologjik", me regjisor E. Albi, trupa 'Bylis" e Fierit, me shfaqjen " Pushtet", e regjisorit Adonis Filipi, teatrit Migjeni, Shkodër me shfaqjen " Putargat e Thata", e Stefan Çapalikut. Ndërsa trupat e huaja që do të prezantohen në këtë festival janë: "Teatrikal Grup Kotor" e Malit të Zi, me shfaqjen " Medea" e Euripidit, me regji të Sllobodan Milatovic, Teatri Kombëtar "Stip Maqedonia" me shfaqjen "Gjithandej" e regjisorit Dejan Prajkovski, teatri ASOU-Graz, Australi, me shfaqjen " Origjinë e panjohur", nën regjinë e Klaus Seeëald, teatri "Aida Vila Pitest" i Rumanisë me shfaqjen "Dashuria të dërgon fishekun e fundit", me regji të Luminita Bortas, teatri "Schauspielhauses Zyrih&teatri Garibaldi di Palermo", me shfaqjen "Pse, Pse" nën regjinë e Peter Brook, dhe teatri Bari/Itali, me shfaqjen "Leksioni i Pianos", me regjisor Karlo Bruni. Trupat pjesëmarrëse do të interpretojnë në skenën e teatrit "Skampa", sheshin "Gensher" në Elbasan dhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor "Skampa '99" çeli siparin dhjetë vite më parë në Elbasan me sloganin "Format e reja", si i pari festival ndërkombëtar teatror që më pas do t'i hapte rrugën dhe organizimit të festivaleve të tjera të këtij lloji në Shqipëri. I organizuar me mbështetjen kryesore të MTKRS-së dhe bashkisë së Elbasanit, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit 'Skampa' konsiderohet si një ngjarje serioze teatrore në Shqipëri dhe më gjerë. Në Festivalin Ndërkombëtar Teatror "Skampa 2007" morën pjesë 9-të trupa teatrale.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›