"Carmina Burana", sot në Teatrin e Operas
TIRANE-Premiera e baletit "Carmina Burana" do të çelë sot sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Kompozuar nga gjermani Karl Orff në vitin 1936, "Carmina Burana" vjen e përshtatur në një version ndryshe për skenën shqiptare nga koreografi Arian Sukniqi. Në këtë produksion, të konceptuar në 25 pjesë, do të angazhohen shumë solistë, ku kënga dhe baleti janë të njësuara. Në rolet kryesore interpretojnë solistët Erlind Zeraliu dhe Erjona Gjyzeli si dhe balerinët Dion Gjinika, Erald Zela, Suela Guri, Elona Nallbani, Elona Dervishi, Fatos Alla, kori do të dirigjohet nga Dritan Lumshi, ndërsa orkestra e TKOB-it nga italiani Fabio Pirona. Si koncept bazë shfaqja do të zhvillohet në formën e një musicali nën një gjuhë koreografike me dominancë neo klasike. Për t'u theksuar është se veç trupës së baletit të gjithë pjesëmarrësit do të jenë aktorë, jo vetëm kori (në momente të caktuara në partin e tij), por edhe me mizansenat ndihmëse për zbërthimin e situatave. Realizimi i shfaqjes muziko - koreografike konsiston në arritjen e një uniteti artistik, ku çdo element i veçantë i shërben tërësisë së zbërthimit të përmbajtjes dhe synohet impakti i madh me publikun dhe sidomos me të rinjtë, ekspozimin e plotë i vlerave të muzikës gjermane të shek. XX-të. Rreth 150 artistë do të angazhohen në këtë pjesë.
(d.b/Balkanweb)