E Diel, 1 Nëntor 2026

Brown takon Sejdiun e Thaçin: Mbështetje për Kosovën

Kryeministri i Britanisë Gordon Brown ka pritur në një takim në Downing Street presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Zyrtarë britanikë thonë se takimi i kryeministrit britanik me udhëheqësit kosovarë është në vazhdën e mbështetjes britanike për përparimin që është arritur deri tani dhe për të çimentuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve.

Një zëdhënës i Downing Street-it tha për BBC-në pas takimit se kryeministri Brown i ka inkurajuar udhëheqësit kosovarë të angazhohen për arritjen sa më shpejt të një marrëveshjeje për vendosjen e EULEX-it në të gjithë Kosovën.

"Ai (Gordon Brown) theksoi se Britania e Madhe është e angazhuar për stabilitetin e një Kosove të pavarur në një Ballkan të qëndrueshëm," tha zëdhënësi i kryeministrit britanik.

Ai tha se diskutimi kryesor ishte rreth misionit të ardhshëm të BE-së për sundimin e ligjit që po planifikohet për Kosovën.

"Ne i bëmë thirrje delegacionit të Kosovës që të angazhohet me BE-në për të garantuar një zgjidhje të shpejtë të negociatave," tha zëdhënësi britanik.

"Ne nuk mbështesim një plan ose tjetrin, ne duam që ata të punojnë shumë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tanishme dhe ne duam që të dy palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në këto diskutime," tha zëdhënësi i kryeministrit Gordon Brown.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha pas takimit se pala kosovare kishte shprehur qëndrimin e saj të prerë kundër planit gjashtë-pikësh të OKB-së.

Zoti Sejdiu tha për BBC-në se kundërshtimi i Prishtinës kishte hasur në 'mirëkuptim'.

“Ne kemi dhënë argumentat tona pse ai plan për Prishtinën është i papranueshëm" tha z. Sejdiu i cili përmendi edhe për BBC-në arsyet e kundërshtimit të planit.

"Vërejtjet tona themelore janë në rradhë të parë në qasjen e gabuar që është marrë. Prishtina është anashkaluar në këtë proces, nuk janë marrë vërejtjet tona që ne i kemi dhënë që nga fillimi dhe çështja tjetër është se në tri fusha të rëndësishme që shprehin dhe shtetësinë e një vendi apo sovranitetin e vendit, që janë policia, doganat dhe gjyqësori, të cilat, në një formë apo një tjetër, dilet nga kuadri që ne e kemi parashikuar dhe e kemi vënë në sistemin e përgjithshëm në kuadrin e Kornizës Kushtetuese të Kosovës".

Presidenti i Kosovës tha se nuk arsye pse EULEX-i të mos vendosej në Kosovë në dhjetor sipas parashikimeve dhe se këtë gjë autoritetet kosovare ia kanë përcjellë dhe zyrtarëve britanikë.

"Paralelisht kemi dhënë po ashtu dhe zotimin tonë, dhe dëshirën tonë vullnetin tonë dhe përkushtimin drejtpërdrejt që të kemi një vendosje sa më të shpejtë të EULEX-it në Kosovë, se do të ketë bashkëpunimin tonë, se EULEX-i do të jetë në mandatin ndërkombëtar si është parashikuar në projektin Ahtisari," tha ai.

Ambasadori britanik në Kosovë Andrew Sparkes tha në një intervistë për BBC në shqip para takimit se "Britania e inkurajon Kosovën të vazhdojë me ndërtimin e një shteti shumëkombësh, në përputhje me planin gjithpërfshirës të Ahtisaarit që është një bazë e marrëveshjes për pavarësi."

Britania, tha ambasadori Sparkes, është aktive në emër të Kosovës në BE dhe në OKB për të promovuar kursin e Kosovës dhe ligjshmërinë si komb me të ardhmen që mund të ndihmojë në botë.

Zoti Sparkes tha se rreth negociatave që janë zhvilluar për vendosjen e EULEX-it në të gjithë Kosovën duhet gjendur "një rrugë për të nënvizuar pozitiven e që është përkushtimi i plotë i udhëheqjes kosovare për rolin e EULEX-it në gjithë vendin." (BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›