Brown takon liderët Kosovar, për EULEX-in

Kryeministri i Britanisë së Madhe Gordon Brown ka pritur në një takim në Downing Street presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Zyrtarë britanikë deklaruan se takimi i kryeministrit britanik me udhëheqësit kosovarë është në vazhdën e mbështetjes britanike për përparimin që është arritur deri tani dhe për të çimentuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve. Sipas një zëdhënësi të Downing Street, pas takimit, kryeministri Brown i ka inkurajuar udhëheqësit kosovarë të angazhohen për arritjen sa më shpejt të një marrëveshjeje për vendosjen e EULEX-it në të gjithë Kosovën. "Gordon Brown theksoi se Britania e Madhe është e angazhuar për stabilitetin e një Kosove të pavarur në një Ballkan të qëndrueshëm", tha zëdhënësi i kryeministrit britanik. Ai u shpreh se diskutimi kryesor ishte rreth misionit të ardhshëm të BE-së për sundimin e ligjit që po planifikohet për Kosovën. "Ne i bëmë thirrje delegacionit të Kosovës që të angazhohet me BE-në për të garantuar një zgjidhje të shpejtë të negociatave. Ne nuk mbështesim një plan ose tjetrin, ne duam që ata të punojnë shumë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tanishme dhe ne duam që të dy palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në këto diskutime", tha zëdhënësi britanik. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu deklaroi pas takimit se pala kosovare kishte shprehur qëndrimin e saj të prerë kundër planit gjashtë-pikësh të OKB-së. Sejdiu tha se ata kishin marrë mirëkuptimin e udhëheqësve britanikë për qëndrimin kosovar për vendosjen e EULEX-it. Ndwrkohw qw ambasadori britanik në Kosovë Andrew Sparkes tha para takimit se vendi i tij inkurajon Kosovën të vazhdojë me ndërtimin e një shteti shumëkombësh, në përputhje me planin gjithpërfshirës të Ahtisaarit që është një bazë e marrëveshjes për pavarësi.