Barcelonë: Protesta studentore degjeneron në dhunë
Një marshim studentor ka degjeneruar në akte dhune në qytetin e Barcelonës në Spanjë, kur protestuesit janë përleshur me policinë. Media katalanase njoftoi se policë, studentë dhe një gazetar janë plagosur, kur forcat policore u ndeshën me demonstruesit në kryeqendrën e Katalonjës. Media lokale u shpreh se konfrontimet filluan kur policia bëri përpjekje të shpërndante protestuesit në qendër të Barcelonës. Stacioni radiofonik kombëtar njoftoi se një 20 vjecar është arrestuar për prishje të rendit publik. Ndërkohë që burime zyrtare deklaruan se gjashtë policë të një skuadre speciale kanë pësuar dëmtime serioze, gjë që e konfirmojnë edhe fotografi të shkrepura gjatë përleshjes. Televizioni lokal u shpreh se studentët dhe stafet e të gjitha universiteteve të Barcelonës morën pjesë në marshimin e ditës së enjte kundër aplikimit të Kartës së Bolonjës nga ana e Bashkimit Europian, e cila synon standartizimin e arsimimit të lartë në continent. Studentët janë të mendimit se ky proces do të cojë në privatizimin e kolegjeve dhe universiteteve.