Bruceloza, nis vaksinimi i 2.5 milionë bagëtive

Genc Ruli
Sekui: Parandalimi rrit sigurinë për konsumatorët shqiptarë e europianë.
Nis fushata e vaksinimit kundër sëmundjes së brucelozës, që kalon nga bagëtitë te njerëzit. Janë 5.7 milionë euro të dhëna nga BE-ja në kuadër të projektit PAZA, që do të përdoren në kuadër të kësaj nisme. Fushata do të zgjasë 45 ditë, periudhë gjatë së cilës do të angazhohen plotësisht 750 veterinerë në të gjithë vendin. Gjatë një konference për nisjen e kësaj fushate, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, tha se do të bëhen përpjekjet maksimale për të çrrënjosur brucelozën nga vendi ynë. Rreth 2.5 milionë krerë dhi dhe dele do të vaksinohen përgjatë këtyre ditëve dhe në mbyllje të këtij procesi madhor ne do të mund të kemi nën kontroll të plotë shëndetin e kafshëve, rreth 85 mijë fermerëve dhe pronarëve që kanë kontakte të drejtpërdrejta me bagëtitë, tha Ruli. Në të ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, drejtues të projektit PAZA dhe Shërbimit Veterinar Shqiptar, si drejtues rajonalë dhe ekspertë nga i gjithë vendi. Bruceloza është një sëmundje që prek jetën e njerëzve. Në Shqipëri ka pasur me qindra të prekur gjatë viteve dhe pikërisht për këtë ne kemi ndërmarrë nisma për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Sëmundja ndikon direkt te konsumatorët dhe duke vaksinuar kafshët, rritet siguria te qytetarët shqiptarë, por gjithashtu rritet edhe siguria te qytetarët europianë. Bashkimi Europian ka dhënë rreth 27 milionë euro për bujqësinë në Shqipëri dhe do të vazhdojë ta mbështesë këtë sektor, tha Etore Sekui.
Sëmundja
Sëmundja e brucelozës është një nga sëmundjet, të cilat transmetohen shumë thjesht te njerëzit, por që kërkon shumë kohë për tu kuruar. Njerëzit infektohen me rrugë të ndryshme, duke përdorur qumështin e papërpunuar, si dhe produktet e tij, si për shembull djathin e freskët, të fermentuar, në të cilin brucellat qëndrojnë pothuaj 6 muaj. Po kështu, edhe te gjalpi. Një mënyrë tjetër e infektimit nga militenca është edhe ajo nëpërmjet lëkurës, veçanërisht gjatë aborteve të kafshëve. Në këto raste, embrioni, lëngu amniotik dhe placenta përmbajnë sasi të mëdha brucellash. Mënyra të tjera infektimi janë gjatë therjes së kafshëve ose paketimit të mishit në rrugë aerogjene (ajrit) kur në atmosferë krijohen aerozole, mikroorganizma apo kur në momentet e therjes apo të procedurave të tjera bien pika gjaku në sy, duke i dhënë mundësi infektimit nëpërmjet konjunktivave. Për këtë arsye punonjësit e laboratorëve janë në rrezikshmëri të lartë, sepse mund të infektohen nëpërmjet inkubacionit, lëkurës apo konjunktivave, gjatë punës me pipeta apo me kulturat mikrobike. Studimet kanë treguar se në Shqipëri bruceloza të delet dhe dhitë është e pranishme në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ajo është e përhapur nga Jugu i Shqipërisë në rajonin qendror dhe atë verior gjatë viteve të fundit. Ekspertët vlerësojnë se numri real i rasteve mund të jetë më i lartë se numri i deklaruar për shkak të shumë rasteve të padiagnostikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një vlerësim më i saktë mbi shtrirjen e sëmundjes në vendet e Mesdheut mund të realizohet duke shumëzuar me tri rastet e raportuara.
Kur u rishfaq
Sëmundja është eksportuar në Shqipëri pas viteve 1990. Përpara këtyre viteve ajo ishte zhdukur plotësisht. Bruceloza quhet sëmundja e Mesdheut, edhe pse Shqipëria është vendi që ka numrin më të madh të të prekurve. Moshat më të prekura janë 18-45 vjeç, por së fundi janë infektuar edhe moshat shkollore. Arsyeja, sipas mjekëve, është se nxënësit e shkollave rurale, pas mësimit punojnë si barinj dhe janë në kontakt të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura. Sëmundja trajtohet vetëm në spitale dhe nuk shërohet kurrë plotësisht.
Fushata për brucelozën
Fondet e BE: 5.7 milionë euroKohëzgjatja: 45 ditë
Në të gjithë vendin: 750 veterinerë
Vaksinohen 2.5 milionë krerë bagëti
Simptomat e brucelozës te njeriu
- Mungesë të fuqisë për kryerje të aktiviteteve fizike- Prekja nga bruceloza sjell probleme me mushkërinë
- Shfaqje të problemeve në zemër
- Acarim dhe probleme në laring
- Probleme të sistemit nervor apo neurobruceloza
Sëmundja
Për shkak të lëvizjes së pakontrolluar të kafshëve, sëmundja është përhapur nga zonat e infektuara në zona të painfektuara. Dy llojet më të përhapura të bakterit Brucela janë: Brucela melitensis, që shkakton sëmundje te delet dhe dhitë. Ky bakter, që është shumë i përhapur në vendet e Mesdheut, shkakton sëmundje të rënda edhe te njerëzit dhe është e njohur dhe ndryshe si ethet e Maltës, ethet e Gjibraltarit apo ethet e Mesdheut. Brucella abortus është virusi tjetër që shkakton dështim te lopët. Sëmundja e shkaktuar nga ky bakter mund të përcillet edhe te njerëzit. Bruceloza te njerëzit në Shqipëri ka qenë gjithashtu objekt i studimit të ekspertëve. Materialet e përgatitura pas këtyre studimeve tregojnë për përhapjen e brucelozës përgjatë viteve nga Jugu i Shqipërisë në qendër dhe Veri.
ZIRINA LLAMBRO