E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktor Gushi, katër grabitje në një vend, policia pa identikit

Viktor Gushi ne gjykate

Vodhi me armë pranë stadiumit “Selman Stërmasi”

TIRANE – Arrestimi i Viktor Gushit pas vrasjes së arkëtares së bankës në zonën e Xhamllikut dhe zbulimi i serialit të grabitjeve që ai kishte kryer nga viti 2008 deri në 2012-n, ka gjetur disa mangësi të policisë në hetimin e ngjarjeve të mëparshme në të cilat ishte implikuar serial-grabitësi. Gjatë viteve 2010-2011, Viktor Gushi, sipas Policisë, ka kryer katër grabitje në zonën e stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë. Në këto rase policia nuk kishte kërkuar përshkrime të hollësishme për pamjen e autorit dhe nuk kishte ndërtuar identikitin që mund ta identifikonte atë para kryerjes së dy vrasjeve. Më 19 korrik 2010 ai ka vjedhur me armë arkën e faturimeve të Ujësjellësit. Më pas, më 13 dhjetor 2010, Gushi ka grabitur arkën e faturimit të ujit dhe dritave në të njëjtën zonë. Po kështu, më 14 tetor të atij viti, në të njëjtin vend, 44-vjeçari ka tentuar të kryejë një grabitje tjetër. Në nëntor 2011, Viktor Gushi ka kryer dhe një grabitje tjetër në zonën e ish-stadiumit “Dinamo”, kësaj radhe në një pikë Western Union. Sipas të dhënave të hetimit, tashmë që autori i ngjarjeve është arrestuar, dosjet e grabitjeve janë grupuar dhe po rishqyrtohen edhe njëherë nga e para. Sipas të dhënave të deritanishme mësohet se në hetimin e grabitjeve të mëparshme të kryera nga Viktor Gushi, policia nuk ka qenë e vëmendshme në drejtim të hartimit të një identikiti të qartë për autorin e grabitjeve. Duke u nisur nga shumat jo të mëdha financiare që ishin grabitur në filialin e arkëtimit të faturave të Ujësjellësit, policia, me sa duket, ka nënvlerësuar detajet e hetimit. Në rastin më të mirë, në këto grabitje, Viktor Gushi kishte grabitur 640 mijë lekë nga arka e Ujësjellësit. Pas secilës nga ngjarjet, policia ka nisur hetimet dhe ka kryer veprimet e nevojshme duke mbledhur provat e duke marrë në pyetje dëshmitarët. Prokuroria e Tiranës, e cila deri tani ka ngritur akuzë ndaj Viktor Gushit vetëm për vrasjen e Leonora Kaloçit, plagosjen e Skënder Elmazit tek NBG dhe vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj, ka tërhequr nga arkivat dosjet e ngjarjeve të mëparshme të pranuara nga 44-vjeçari nga Patosi. Gjatë shqyrtimit të materialeve në dosjet në fjalë, sipas hetuesve, është vënë re një mungesë e elementeve të dokumentimit në përshkrimet e kërkuara nga arkëtaret për autorin e grabitjeve me armë në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.                           tr.so

“Gushi nuk mbante telefon celular”

Bujar Nishani

TIRANE – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka pohuar se supergrabitësi Viktor Gushi nuk ishte i sofistikuar në mjete, por në rrethana. Gjatë një prononcimi në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Nishani pranoi vështirësitë e identifikimit të autorit të ngjarjeve duke cilësuar se atë e ndihmuan rrethanat, duke qenë se vepronte vetëm, por mjetet, sepse, sipas tij, Gushi nuk kishte as makinë, as shtëpi dhe as celular. “Në rastin e Viktor Gushit nuk kemi një sofistikim të mjeteve që ai ka përdorur, por një sofistikim të rrethanave. Personi në fjalë nuk ka vepruar në grup në asnjë nga rastet që ka pranuar të ketë kryer. Ka vepruar gjithmonë i vetëm. Shpeshherë, kur veprohet në grup, ka mundësi për të lënë më shumë shenja, ka mundësi për të lënë më shumë prova dhe ka mundësi për të shkruar tek autori përmes një personi të dytë apo të tretë që është i përfshirë në botën e krimit. Në rastin konkret, Viktor Gushi ishte një person që vepronte tërësisht vetëm. Ishte një person që vidhte shuma të konsiderueshme për jetën e tij dhe hante bukë me kos, duke shpenzuar një milion lekë në ditë në loto. Nuk blinte makinë, i privonte vetes të kishte një celular apo të kishte një shtëpi. Ishte i gatshëm të flinte disa muaj në rrënojat e makinave, të furgonëve, të flinte në kasolle dhe gjatë kësaj kohe hetonte një muaj rresh për mënyrën se si do të hynte për të grabitur”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›