E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel, ESI vlerëson: Shqipëria, në kohë për heqjen e vizave



Gjatë verës së sivjetme, Shqipëria i kishte marrë gjërat disi më me ngadalë, për shkak të zgjedhjeve të qershorit 2009. E megjithatë, më 29 korrik 2009, qeveria miratoi një plan veprimi me afate kohore ambicioze, por gjithsesi realist, për përmbushjen e kushteve të mbetura të udhërrëfyesit; ndërsa më 16 shtator, qeveria e re u angazhua të bëjë të mundur “lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën Schengen brenda vitit të parë të mandatit qeverisës”. Ky objektiv në Shqipëri u “përkthye” me shpejtësi në veprimtari të bashkërenduara për realizimin e kërkesave të mbetura. Gjatë periudhës tetor - nëntor, ESI-ja ( Nisma Evropiane për Stabilitet) dhe organizata e tyre partnere, Lëvizja Evropiane në Shqipëri, kanë analizuar raportet për gatishmërinë e qeverisë, të përditësuara rregullisht gjate nëntorit. Ashtu si në rastin e Bosnjës, ne arritëm në përfundimin se Shqipëria ka bërë përparim domethënës, afërsisht në të njëjtin nivel zbatimi që Serbia dhe Mali i Zi kishin arritur në maj 2009. Fatmirësisht, ky përparim është njohur nga Parlamenti Evropian, shtetet anëtare të BE-së (shihni deklaratën që i bashkëlidhet opinionit të Parlamentit Evropian të 12 nëntorit) dhe Komisionit Evropian. Në dhjetor 2009, Komisioni planifikon të dërgojë misione ekspertësh nga vendet anëtare të BE-së në Shqipëri dhe në Bosnje-Hercegovinë për vlerësimin e përparimit të bërë lidhur me Bllokun 1, ndërsa misionet e tjera të vlerësimit do të dërgohen në fillim të vitit 2010. Me plotësimin deri atëherë të të gjitha kërkesave nga ana e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, qytetarët e tyre do të mund të përfitojnë nga lëvizja pa viza, duke filluar nga muaji korrik 2010.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›