E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për mediat, Pollo: Së shpejti miratimi në Kuvend



Qeveria e konsideron si mjaft të nevojshëm ligjin për mediat audio-vizive dhe fton palët e interesuara për hartimin dhe miratimin sa më të shpejtë të tij. Në cilësinë e ministrit përgjegjës për Shoqërinë e Informacionit, z. Genc Pollo, mori pjesë në seminarin e organizuar nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës për ligjin për mediat audio-vizuale, i cili po punohet prej dy vitesh në Komisionin kuvendor për Edukimin dhe Mediat. “Ky është një ligj shumë i nevojshëm dhe asistenca e dhënë nga Komisioni Evropian siguron që të jetë në përputhje me acquis evropian. Gjithashtu, Këshilli i Evropës me ekspertizën e tij jep këshilla për balancat e kriteret e duhura që të kemi një rregullator që zbaton frymën e gërmën e ligjit”, - theksoi z. Pollo. Ministri i Shtetit shtoi se duhet të punojmë së bashku që të hartohet e të miratohet në Kuvend. Të pranishëm nga pala shqiptare ishin krahas deputetëve Mesila Doda dhe Mark Marku, edhe deputetë nga PS-ja, znj. Valentina Leskaj e Alfred Dalipi, si dhe drejtuesit e Këshillit Kombëtar të Radiove e Televizioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›