E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjokaj, Berisha përuron investimet 79-milionëshe



Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të ujësjellësit të fshatit Gjokaj, investim me vlerë 39 milionë lekë, si dhe të rrugës kryesore të këtij fshati, me gjatësi 3.5 kilometra dhe vlerë 40 milionë lekë. Në këtë aktivitet Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Transporteve, z. Sokol Olldashi, prefekti i Tiranës, z. Keltis Kruja, drejtues të pushtetit vendor të Bashkisë së Vorës etj. Berisha u premtoi banorëve të zonës se qeveria do të financojë çdo projekt në këtë bashki, në mënyrë që të përfundojmë sa më shpejtë urbanizimin e plotë të Bashkisë së Vorës. Sipas tij: “Ky urbanizim ndryshon Vorën dhe mbarë Shqipërinë, por edhe lehtëson jetën e çdo qytetari të bashkisë suaj”. “Siç e shihni, kohërat e vështira po i lëmë pas. Nuk mund të them se ne e kemi bulevard me lule, por ju siguroj se rrugën drejt prosperitetit, begatisë, mirëqenies dhe begatimit do ta kemi dhjetëra herë më të lehtë se ç’e kemi pasur në të shkuarën tonë. Të gjitha këto u bënë të mundura me mbështetjen tuaj; u bënë të mundura duke shndërruar besimin tuaj në rrugë, në ujësjellës e kanalizime, në shkolla, në luftë kundër kriminalitetit dhe kundër korrupsionit”, - u shpreh z. Berisha. “Këto, - shtoi ai, - u bënë të mundura duke u faktuar partnerëve tanë në Evropë dhe në botë seriozitetin dhe përkushtimin tonë në rrugën e lirisë dhe të demokracisë”. “Veçanërisht, - tha Berisha, - këto u bënë të mundura nga zgjedhjet e 28 qershorit, në të cilat pjesëmarrja juaj ishte më e lartë se në çdo proces tjetër zgjedhor dhe votuat më të lirë se kurrë”. “Me këto zgjedhje edhe ne i faktuam Evropës dhe botës se në vlerat themelore kemi të njëjtin përkushtim me kombet e zhvilluara dhe të qytetëruara”, - theksoi Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›