Bruksel, Gruevski takohet me kryeministrin grek Papandreu
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili po qëndron për vizitë dyditëshe në Bruksel, pritet që sot të marrë pjesë në takimin e liderëve të Partive popullore europiane, ndërsa do të takohet edhe me kryeministrin grek, Jorgos Papandreu. Takimi kokë më kokë me Papandreun që do të mbahet në margjinat e Samitit të BE-së, vjen për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, dhe është pjesë e përpjekjeve në funksion të procesit, i cili po zhvillohet nën patronazhin e OKB-së për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të ndërsjelltë për emrin. Ky do të jetë takimi i tretë i drejtpërdrejtë i dy kryeministrave.
SHBA
Obama pret Netaniahun, asnjë ndryshim kursi
Presidenti Obama ka pritur në Shtëpinë e Bardhë, kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu me të cilin ka zhvilluar një bisedë private. Ky ishte takimi i parë që kur marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan në mënyrë të pazakontë, për shkak të planeve të Izraelit për të ndërtuar më shumë banesa për hebrenjtë në territorin e pushtuar të Jerusalemit Lindor. Gjatë kësaj vizite Netanjahu nuk i ka ofruar asnjë lëshim Uashingtonit. Përkundrazi, ai ka shprehur mbështetje të fortë për vazhdimin e aktivitetit për ndërtimin e vendbanimeve të hebrenjve në territoret e pushtuara të Jerusalemit Lindor.
Pakistan
Nga sulmi i një avioni pa pilot vriten 6 vetë
Nga një sulm nga një avion pa pilot i ushtrisë amerikane në provincën pakistaneze të Vaziristanit Verior, kanë vdekur të paktën gjashtë kryengritës të dyshuar. Dy raketa janë shkrepur mbi një automjet të kryengritësve, bëjnë të ditur forcat e sigurimit vendor. Përveç kësaj, është shkatërruar një ndërtesë e përdorur shpesh nga rebelët. SHBA-të ushtrojnë shpesh me avionë të tillë kontrolle në zonat në kufi me Afganistanin që mbahen si zona të tërheqjes së islamistëve nga Afganistani.
25 Mars 2010