FMN-ja, propozimi i BE-së nëse Greqia falimenton
Nëse do të rrezikohet nga falimentimi, Greqia duhet të marrë ndihma financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, mbështetur nga ndihmat vullnetare të vendeve të veçanta të BE-së. Fillimisht propozimin për t’iu drejtuar FMN-së në rast rreziku e propozoi kancelaria gjermane Angela Merkel. Tani edhe Presidenti i Francës Nikolas Sarkozi shprehet pro kësaj zgjidhje. Ndërkohë qëndrimi gjermano-francez u përshëndet edhe nga kryeministri spanjoll, Hose Luis Rodriguez Zapatero, i cili shprehu besimin se konferenca e ditë së sotme do të bashkojë në një rrugë krerët politikë të eurozonës me premtimet e tyre për të ndihmuar Greqinë dhe përveç kësaj do të bëhen përparime për krijimin e një qeverie të përbashkët ekonomike evropiane. Angela Merkelin e kishte rrethuar vetmia: gjysma e Europës ankohej për qëndrimin e saj të ashpër, refuzimin e planit të emergjencës për Greqinë e tronditur nga kriza. Pak para fillimit të samitit të BE-së, duket se po shenjohet kthesa në momentin e fundit, me kancelaren gjermane si triumfuese. Duket se kancelarja po gjen mirëkuptimin e BE-së në një çështje themelore për ndihmat për Greqinë: Qeveria franceze tregohet e hapur për përfshirjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar në planin e emergjencës për Athinën, ashtu si e kishte kërkuar Merkeli më parë. Ndërkohë në Greqi ditën e djeshme është zhvilluar grevë masive e arsimtarëve. Ata protestuan kundër masave të rrepta të qeverisë, në përpjekje për të pakësuar borxhin e vendit. Mësuesit hodhën parrulla me zë të lartë, duke i bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, që të emërojë më tepër mësues, në vend që të paraqesë shkurtime të reja të shpenzimeve. Ata i hodhën parrullat para ministres së arsimit, Ana Diaman-topulu, e cila kishte dalë para Parlamentit, në qendër të Athinës, për të parë parakalimin e nxënësve.
25 Mars 2010