E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfidat e Kosovës, 11 vjet pas bombardimeve të NATO-s



Blerina Olldashi

Pas sulmeve të NATO-s 11 vjet më parë, Kosova rrezikohet nga faktorë të brendshëm, më tepër se nga jashtë. Ekspertët për siguri thonë se institucionet kanë shumë sfida përpara, meqë shumë nga punët e nisura, nuk kanë përfunduar, duke përmendur këtu pamundësinë për të ruajtur vetë tërësinë territoriale, për të shtrirë pushtetin dhe zbatuar Kushtetutën në gjithë Kosovën.
Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, vlerëson se Kosova i ka arritur objektivat e mëdha, por punët, sipas tij, nuk kanë përfunduar. “Unë mendoj se sot jemi atje, ku kemi menduar se ku do të jemi më 24 mars, se 24 marsi është fillimi i mbarimit të luftës dhe pas kësaj do pasojë liria dhe pavarësia e Kosovës. Dhe, ajo ndodhi sot. Por, 11 vjet pas dhe 2 vjet pas pavarësisë, Kosova ballafaqohet ende me shumë sfida, jo vetëm ekonomike, të njohjes, por edhe të sigurisë. Kosova nuk është e rrezikuar nga jashtë, edhe pse nuk përjashtohet kjo mundësi, marrë parasysh politikën serbe. Por, rreziqet vijnë nga brenda. Sot nuk rrezikohet territori i Kosovës, sa rrezikohet jeta e qytetarëve të Kosovës, pasuria e Kosovës”, thotë Çeku. Eksperti tjetër për çështje ushtarake, Naim Maloku, 11 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, për një gjë është i sigurt, konfliktet në Ballkan, sipas tij, tashmë i takojnë së kaluarës.
Mirënjohja e autoriteteve
Njëmbëdhjetë vjet pas fushatës ajrore të NATO-s mbi caqet serbe, liderët e institucioneve i shprehin mirënjohje kësaj aleance që i doli në mbrojtje popullit të Kosovës, duke ndëshkuar rëndë një politikë që ushtronte dhunë shtetërore sistematike, krime dhe gjenocid. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përmes një mesazhi urimi, vlerësoi se “ndërhyrja e Aleancës Veri-atlantike për ndalimin e krimeve të paramenduara që po i bëheshin popullit të Kosovës, paraqet një akt të lartë të humanizmit të bashkësisë ndërkombëtare, e cila ndërhyri për t’iu dhënë fund vuajtjeve apokaliptike, nëpër të cilat po kalonte populli”. Edhe kryeministri Hashim Thaçi, vlerësoi se ndërhyrja e NATO-s mbi pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe, më 1999, është ngjarja më e rëndësishme e shekullit të kaluar për këtë aleancë, duke konfirmuar faktin se liria është vlera më e lartë e shoqërisë demokratike.
Bombardimet e 1999-s
Më 24 mars të vitit 1999, forcat e NATO-s filluan sulmet ajrore kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana. Fushata përfundoi më 10 qershor të po të njëjtit vit, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Më 3 prill, zëdhënësi i NATO-s, Xhemi Shea, sqaroi arsyet e sulmeve të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë: “Aksioni ushtarak i NATO-s i mbështet qëllimet politike të bashkësisë ndërkombëtare, për një Kosovë paqësore, shumetnike dhe demokratike, në të cilën të gjithë do të jetojnë në siguri”. Pas 78 ditë bombardimesh, regjimi i Sllobodan Millosheviçit u përkul dhe i pranoi kushtet e Aleancës.
Njoftimin, më 10 qershor, në Bruksel, e bëri sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana. Dy ditë më vonë, komandanti suprem i NATO-s, gjenerali amerikan, Uesli Klark, njoftoi për hyrjen e trupave të para ndërkombëtare në Kosovë. Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Klinton, duke i krahasuar ngjarjet në Kosovë me ato të Holokaustit, pati thënë se “NATO-ja u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid”.

Gjermani, përfundojnë specializimin diplomatët kosovarë

15 diplomatë kosovarë kanë përfunduar me sukses specializimin katër javor në Berlin, ku patën rastin të njiheshin me bazat kryesore të diplomacisë ndërkombëtare. Pjesa e prezantimit në publik konsiderohet si pjesa më sfiduese e këtij kursi, ndërkohë që programi nuk përmbante vetëm seminare në dhoma të mbyllura, por edhe një sërë takimesh me deputetë e politikanë të rëndësishëm gjermanë, si edhe një ekskursion në Bruksel.
Kursi i diplomacisë zhvillohet çdo vit në të njëjtën periudhë kohore. Ai zhvillohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë është bërë enkas për diplomatët kosovarë dhe zhvillohet çdo vit në të njëjtën periudhë kohore. Ambasadori i Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita, i cili i kishte ftuar në një pritje diplomatët me rastin e marrjes së diplomës, kishte qenë vetë një vit më parë në këtë kurs. "Ishte një bazë e mirë për të filluar punën si ambasador në Berlin", kujton Mirdita. Të gjithë pjesëmarrësit në kurs ndodhen jo vetëm në fillim të karrierës së tyre profesionale, por edhe në procesin e ngritjes së themeleve të strukturave diplomatike në vend.

25 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›