E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, PD-PS, debate të ashpra para deputetëve europianë

Zhvillohet me debate takimi i parë ndërparlamentar Shqipëri-BE

Eljona Ballhysa
Deputetët shqiptarë, demokratë dhe socialistë, kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin në takimin e parë të Nënkomitetit Ndërparlamentar Shqipëri-Bashkimi Europian. Delegacioni shqiptar, i përbërë nga 13 deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, kanë referuar përpara eurodeputetëve situatën politike në Shqipëri duke paraqitur dy versione të ndryshme. Ndërsa eurodeputetët, nga ana e tyre, e kanë cilësuar shqetësuese situatën e krijuar në Tiranë dhe tejet të komplikuar me futjen e 22 deputetëve të PS-së në grevë urie. Madje, eurodeputetët kanë bërë thirrje që BE-ja të ndikojë për të zgjidhur krizën në Shqipëri.
Debati
Deputetët socialistë shqiptare kanë sqaruar se greva e urisë ishte një domosdoshmëri për shkak se qeveria nuk reagoi ndaj kërkesave të vazhdueshme të PS-së. “Greva e urisë nuk ishte zgjedhje, por detyrim para kapriçove të qeverisë”, - ka deklaruar Valentina Leskaj. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit demokrat Jemin Gjana, i cili ka theksuar se nëse Partia Socialiste kërkon një zgjidhje, duhet të respektojë Kushtetutën. “Zgjidhja duhet të jetë në përputhje më Kushtetutën”, - ka theksuar Gjana. Ndërsa përfaqësuesja e PD-së, Mesila Doda, u shpreh se maxhoranca i ka krijuar mundësinë opozitës të hetojë zgjedhjet nëpërmjet ngritjes së komisionit hetimor parlamentar. “Kemi ngritur komisionin hetimor, mund të vijnë që nesër ta marrin drejtimin e tij, por gjithmonë duke respektuar Kushtetutën”, - ka deklaruar Doda, fjalimi i së cilës është mbështetur nga deputeti Fatos Beja. “Vendi juaj është në Parlament, aty mund të diskutohet çdo gjë, brenda ligjit”, - ka thënë Beja. Por, deputeti socialist, Saimir Tahiri, ka replikuar duke theksuar se kërkesa e PS-së për hapjen e kutive është kusht kryesor që garanton transparencën e plotë të procesit zgjedhor dhe se kjo kërkesë është tërësisht legjitime. “Ne e kemi lexuar Kushtetutën dhe kemi kërkuar komision hetimor sipas ligjit. Është mungesa e vullnetit politik që nuk lejon hetimin e zgjedhjeve”, - është shprehur Tahiri. Madje, në një prononcim për mediat shqiptare, Tahiri bëri të ditur se sjellja e deputetëve të PD-së në takimin ndërparlamentar për Stabilizim-Asocimin midis BE-së dhe Shqipërisë ishte arrogante. Sipas Tahirit, deputetët e PD-së nuk dëgjuan fjalën e deputetëve të opozitës. Ndërkaq ai tha se PS-ja në këtë takim ka kërkuar liberalizimin e vizave për shqiptarët.
Qëndrimi
Ndërsa eurodeputetët, nga ana e tyre, shprehën shqetësimin për situatën e ndërlikuar politike në Shqipëri. Drejtori për Zgjerimin për Ballkanin në Komisionin Europian, Pier Mirel, përsëriti qëndrimin se kriza do të ndikojë në opinionin për çështjen e statusit kandidat. “Parlamenti shqiptar nuk po funksionon që prej 8 muajsh dhe ne do ta kemi parasysh këtë në opinionin tonë”, - tha Mirel. Eurodeputeti socialdemokrat, Viktor Boshtinaru, u shpreh në mbështetje të PS-së, ndërsa eurodeputetët e tjerë kërkuan që Brukseli të ndikojë në zgjidhjen e çështjes dhe uljen e palëve në tryezën e bisedimeve.
Ndërsa eurodeputeti Eduard Kukan theksoi se mungesa e opozitës në Parlament pengon procesin integrues të vendit. “Situata aktuale politika, ku opozita nuk merr pjesë ose merr pjesë pjesërisht, ose në mënyrë të kushtëzuar në seancat parlamentare, është një pengesë për integrimin europian të Shqipërisë. Të gjitha apelet që kanë ardhur nga organizatat ndërkombëtare nuk e kanë ndryshuar situatën dhe lajmet që po vijnë nga Tirana tregojnë se situata është bërë më e ndërlikuar dhe e vështirë”, - është shprehur Kukan.
Programi
Gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet mbledhja e dytë e Komitetit Ndërparlamentar.
Sipas draftit të programit të punimeve, përveç debatit për situatën politike në Shqipëri, palët do të diskutojnë për liberalizimin e vizave, për zhvillimet ekonomike, për funksionimin e shtetit të së drejtës, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në veçanti për lirinë e medias. Më pas do të përcaktohen rekomandimet për Shqipërinë dhe palët do të japin një konferencë për shtyp. Pala europiane përfaqësohet në këtë takim nga komisioneri për Zgjerim Stefan Fule dhe eurodeputetë të tjerë të grupeve të ndryshme parlamentare, ndërsa delegacioni shqiptar drejtohet nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ndërsa pjesë e delegacionit janë deputetët e PD-së: Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi e Arenca Trashani; ndërsa nga PS-ja: Valentina Leskaj, Ermelinda Meksi, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri dhe Ilir Beqja.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›