Topi e Berisha urojnë gazetarët në Ditën Botërore të Medias
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha uruan dje gazetarët në Ditën Botërore të Medias. Kreu i Republikës, në një takim me drejtues dhe gazetarë të shtypit dhe medias, ka vlerësuar punën dhe rolin e gazetarit gjatë këtyre 20 viteve në zhvillimin e demokracisë në vend. Presidenti Bamir Topi tha se ndodh që pushteti apo politika të ndërhyjë te media, ndaj duhet forcuar edhe më tepër roli i gazetarit.
“Aktorët politikë duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e pavarësisë së gazetarëve dhe të mediave për faktin se një shoqëri e emancipuar dhe demokratike ndërtohet vetëm duke i dhënë përparësi pavarësisë së sistemit mediatik nga politika, një pavarësi maksimale të mundshme. Realisht kjo fjalë mund të tingëllojë edhe si një estrakt i leksioneve që kurrsesi nuk dëshiroj që të konsiderohet si e tillë”, - u shpreh Topi. Në fjalë Presidenti ka theksuar se shtypi dhe media janë pushteti i katërt, i cili ndikon në rritjen e demokracisë së vendit. “Pushteti që përmendëm është atribut demokratik dhe si çdo pushtet tjetër, atij i kanosen rreziqe të natyrave të ndryshme, teprime apo mediokritete që mund t’ia shpërfytyrojnë natyrën. Tashmë ne kemi kuptuar pa ekuivok se të gjitha statuset sociale vihen në rrezik kur rrezikohet statusi i gazetarit”, - u shpreh Topi.
Ndërsa kryeministri Berisha, gjatë një konference të posaçme për shtyp, theksoi se qeveria që ai drejton do të respektojë lirinë dhe pavarësinë e mediave në Shqipëri.
“Mediat kanë dhe do të kenë te kjo qeveri dhe te ky kryeministër respektim të plotë të lirisë dhe pavarësisë së tyre. Unë jam krenar që kjo maxhorancë, në mandatin e saj të dytë dhe gjatë mandatit të parë, nuk lejoi qoftë edhe një proces të vetëm gjyqësor nga administrata drejt gazetarëve. Mediat nuk kanë arritur akoma të gëzojnë lirinë e tyre të plotë, pasi ajo është multidimensionale. Ato vërtet kanë një liri të pakufizuar në aspekt me administratën shtetërore, me qeverinë, por kjo nuk mund të thuhet se ato kanë liri të plotë në respekt me pronarët e tyre dhe grupet e interesit që i menaxhojnë. Sidoqoftë, jam këtu për të garantuar mediat se qeveria është e gatshme të ndërmarrë çdo nismë ligjore, e cila do të gjykohet prej tyre se i shërben konsolidimit të mëtejshëm të pavarësisë”, - është shprehur kryeministri Berisha.
4 Maj 2010