Topalli: “Integriteti i zyrtarëve mbetet sfidë e rëndësishme”
Në takimin rajonal të organizuar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, theksoi se integriteti i politikanëve, gjyqtarëve dhe çdo zyrtari mbetet sfidë e rëndësishme. “Në çdo betejë dhe sfidë me të cilat përballet Shqipëria, rajoni, Europa dhe kontinentet e tjera, integriteti i gjyqtarëve, reformimi i sistemit gjyqësor, figura e pastër e politikanit e komunarit, e kryetarit të bashkisë, e parlamentarit, mbeten ende sfida të rëndësishme”, - është shprehur Topalli.
Ajo tha se Parlamenti mbështet tërësisht ILDKP-në dhe institucionet antikorrupsion “në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mësojnë se sa i vërtetë ka qenë në deklaratën e pasurisë një politikan, një parlamentar, një kryetar bashkie dhe, nëse rezulton se s’ka qenë ashtu, natyrisht fillojnë problemet dhe aty ku fillon evidentimi i këtij problemi, fillon dhe zgjidhja e problemit”. Topalli bëri të ditur se Parlamenti sugjeron ndryshime në ligjin për ILDKP-në. Sipas saj, ndryshimet në legjislacion do të rregullojnë pasojat juridike të shkaktuara nga situata me konflikt interesi. “Në këtë rezolutë Kuvendi kërkon që për vitin 2010, ILDKP-ja, ndër të tjera: të propozojë ndryshimet e nevojshme në legjislacion për rregullimin e pasojave juridike të shkaktuara nga situatat me konflikt interesi dhe për ndëshkimin e zyrtarëve apo personave të lidhur me ta, përgjegjës për konfliktin e interesit; të forcojë marrëdhëniet publike. Të kërkojë me më shumë forcë e vendosmëri nga organet e ndjekjes penale procedimin rezultativ të zyrtarëve të zbuluar prej tij në konflikt interesi apo në fshehje të pasurive të tyre. Të informojë publikisht apo drejtpërdrejt Kuvendin për rastet kur autoritetet përgjegjëse neglizhojnë apo kapin rezultate të ulëta në ndjekjen dhe ndëshkimin e konfliktit të interesit apo fshehjes së pasurisë të zbuluar prej tij”, - është shprehur Topalli.
4 Maj 2010