E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi del kundër PD-së: “Qytetarët të njihen me pasurinë e deputetëve



Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje gjatë një konference të organizuar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, se qytetarët kanë të drejtë të njohin përfaqësuesit e tyre politikë. Kjo deklaratë e kreut të shtetit vjen vetëm pak ditë pas një debati të zhvilluar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku deputetë të Partisë Demokratike u shprehën kundër botimit në media të deklaratave të tyre të pasurisë. Deputetët demokratë e cilësuan publikimin e pasurive të tyre si shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërkaq, kreu i shtetit, krejt ndryshe nga përfaqësuesit e PD-së, është i mendimit që qytetarët duhet të kenë të drejtën që të dinë me hollësi se kush i drejton.
Qëndrimi
“Zyrtarët zgjidhen në emër të qytetarëve, bëjnë karrierë me besimin e tyre, mandatohen për t’iu shërbyer atyre dhe duhet të jenë gjithmonë të gatshëm të përballen me kritikat dhe ankesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur. Fenomeni i kundërt do të dobësonte demokracinë. Qytetarët duhet ta dinë me hollësi se kush i drejton, kush i qeveris, çfarë modeli zyrtarësh përfaqësojnë ata që takojnë në zyrat e shtetit, që nga komunat e deri te Presidenti”, - është shprehur Topi. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që shteti të distancohet nga çdo zyrtar politik ose jo që ka përfituar në mënyrë të paligjshme. “Por, është akoma më i rëndësishëm distancimi i qartë i shtetit nga çdo zyrtar, i çfarëdo rangu politik e shtetëror, që ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga posti që mban. Kjo është fryma e shtetit ligjor, ky është shpirti i demokracisë, kjo është edhe sfida kryesore e institucioneve tuaja në raport me publikun”, - është shprehur Presidenti i Republikës.
Bashkëpunimi
Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e organizuar nga ILDKP-ja, kreu i shtetit kërkoi më tepër bashkëpunim mes institucioneve shtetërore shqiptare dhe atyre rajonale për të luftuar korrupsionin dhe konfliktin e interesave në radhët e zyrtarëve.
“Në këtë kontekst inkurajoj që të zgjerohet bashkëpunimi me institucione homologe, pasi problemet me korrupsionin, natyrisht, nuk mund të jenë më të izoluara, ato kanë gjithmonë tendencën që të zgjerohen e të kamuflohen dhe në kuadrin e këtij bashkëpunimi që ne kemi me vendet e Europës Juglindore, me të gjitha vendet e Bashkimit Europian, patjetër kërkohet domosdoshmërisht që të bashkëpunojnë edhe në linja të tilla, sikurse është bashkëpunimi me disa institucione të deklarimit e të konstatimit të pasurive. Mendoj se është e rëndësishme të theksoj këtu se lufta kundër korrupsionit nuk është ekskluzivitet i institucioneve tuaja, barra për të evidentuar dhe luftuar korrupsionin dhe abuzimin me detyrën nga funksionarët e shtetit nuk është përgjegjësi vetëm e juaja. Shteti funksionon si i tërë, ku çdo përbërës i tij kryen funksionet e caktuara në ligj, por njëkohësisht edhe në mënyrë të ndërvarur. Që këtej dëshiroj të theksoj se nevoja për bashkëpunim me institucionet e tjera të shtetit është një domosdoshmëri për të bërë të mundur zbatimin e ligjit dhe rritjen e eficiencës së veprimtarisë së institucioneve tuaja”, - është shprehur presidenti Topi.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›