E Diel, 1 Nëntor 2026

“Teatër” me mbathje në futbollin shqiptar



Java e 31-të e Kategorisë Superiore ofroi “bamirësisë” e radhës së Dinamos në humbjen 4-2 me Laçin në “Qemal Stafa”, e gjashta rresht për kampionen në fuqi. Besa dhe Tirana ndanë nga një pikë në barazimin 1-1 në Kavajë. Kastrioti shkatërroi Teutën (3-0) në Krujë. Flamurtari fitoi 1-0 derbin me Apoloninë (gol i të zakonshmit Memelli). Skënderbeu nuk fali Shkumbinin (3-1), ndërsa Vllaznia fitoi në Ersekë me Gramozin (2—1).

Dinamo-Laçi 2-4

Dinamo me humbjen 4-2 me Laçin në “Qemal Stafa” (e gjashta rresht) shkroi një tjetër faqe turpi në një prej kampionateve më të shëmtuar të futbollit shqiptar, e që për rastësi (me meritë, gjithsesi) do të përmbyllet me blutë që do ta fitojnë titullin për herë të 18-të. Ndeshja pati një bollëk golash, gjashtë të tillë, por në një stadium thuajse pa shikues e të papërgatitur për festë, emocionet e futjes së topit në rrjetë i përjetuan vetëm laçjanët që lanë pas Tiranën në renditje e tejzgjatën ëndrrën për një vend në Europë. Erjon Vuçaj shënoi i pari për Laçin (26’), por katër minuta më pas Fatjon Sefa (33’) barazoi shifrat në 1-1 me të cilën u mbyll dhe pjesa e parë. Goli i 11-të sezonal i Sefës. Golashënuesi më mirë i Laçit, Arlind Nora shënoi një dopjetë në minutën e 53-të dhe 81-të (me penallti, faull i kapitenit të Dinamos, Arjan Pisha), duke i dhënë udhëheqjen sërish kurbinasve. Këta ishin golat me numër 12 dhe 13 të sulmuesit gjirokastrit, po aq sa Memelli (Flamurtari) dhe Elis Bakaj (Dinamo). Erjon Vuçaj realizoi golin e katër për formacionin e Stavri Nicës në minutën e 88-të, ndërsa një minutë më pas mbrojtësi Renato Mallota shënoi golin e dytë për Dinamon në humbjen e tretë më katër gola, përfshirë dhe humbjen me Shkumbinin (4-0) dhe Skënderbeun (4-3). Dinamo, që e ka fituar tashmë titullin e pret vetëm hapjen e shampanjës në një ndeshje më dinjitoze me rivalët e saj në këtë sezon, Tiranën e Besës, është duke lënë një përshtypje aspak të denjë për një skuadër të shumëfinancuar e me një trajner në largim që u dha bluve triumfin e 18-të në 71-kampionate të Superligës.

Besa – Tirana 1-1

Besa ia doli të mbrojë vendin e dytë në renditje pas barazimit 1-1 me Tiranën në Kavajë. Pas një penalltie të pa dhënë (sipas kavajseve) dhe një shtyllë e Daniel Xhafaj në minutën e 79-të, formacioni i Shpëtim Duros realizoi i pari po me anë të sulmuesit vlonjat me penallti në minutën e 83-të (goli i 14-të sezonal për rë). Xhafaj tani është një gol më pak se sa lideri i “topçinjve”, sulmuesi i Apolonisë, Mladen Bërkiç. Gëzimi i Besës zgjati vetëm tre minuta pasi Sebino Plaku barazoi në minutën e 86-të (goli i tij i gjashtë sezonal, 2 me Dinamon). Të tri ndeshjet sezonale midis Besës e Tiranës janë mbyllur në barazim (0-0 1-1 1-1). Ky ishte barazimi i 43-të midis dy ekipeve në 128 ndeshje (16 fitore Besa 69 fitore Tirana). Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i sezonit, me Dinamon kampione, Besa (50 pikë) ka një avantazh prej dy pikësh ndaj dy ndjekësve të saj më të afërt, Laçit dhe Tiranës (të dyja nga 48 pikë). Të shtunën, më 9 maj, Besa do të diskutojë finalen e Kupës së Shqipërisë me Vllazninë në “Qemal Stafa”. Kupa është dhe objektivi kryesor i klubit të presidentit Bizhdili, i cili synon ta fitojë për herë të dytë atë.

Skënderbeu – Shkumbini 3-1

Skënderbeu hodhi një hap të madh në betejën për mbijetëse pas fitores bindëse 3-1 ndaj Shkumbinit në Korçë. Sulmuesi kroat Milaim Guerrib çeli serinë e golave në minutën e 20-të (goli i tij i 11-të në këtë sezon), përpara se Elton Lika (31’) dhe Enco Malindi (61’) ti çonin shifrat në 3-0. Branica (66’) shënoi edhe golin nderit për Shkumbinin, që shërbeu vetëm për të rritur në 19-të golat e realizuar në javën e 31-të të Kategorisë Superiore. Pas fitores së korçarëve (e 11-ta sezonale) shkoi në 8-të numri sukseseve të plota të Skënderbeut në 20 ndeshje historike me Shkumbinin (11 fitore).

Gramozi – Vllaznia 1-2
Vllaznia arriti një fitore të vështirë në Ersekë ndaj Gramozit të rënë nga Kategoria Superiore, në një ndeshje pa shikues. Kolonjarët e udhëhequr në bankinë nga trajneri Agim Canaj shënuan të parët me anë të elbasanasit Armando Sadiku në minutën e 57-të (goli i tij i 8-të sezonal), duke ua komplikuar jo pak punën 9-herë kampionëve të Shqipërisë. Malaziazi Zeljko Mrvaljeviç (77’) dhe Ndriçim Shtubina (89’) fiksuan fitoren e shumëpritur të shkodranëve në Ersekë. Në tri përballjet historike midis dy ekipeve bilanci është ky: dy fitore Vllaznia dhe 1 barazim (i arritur në Ersekë).

Kastrioti - Teuta 3-0
Kastrioti mbajti sërish gjallë shpresat për të mos rënë nga Superliga pas fitores së pastër 3-0 ndaj Teutës në Krujë. Dy skuadrat u barazuan me pikë, nga 39, por me krutanët që kanë një golaverazh më të mirë. Rigers Hoxha (44’), Renato Kalari (51’) dhe eurogoli i Olsi Gocaj (71’) fiksuan edhe fitoren e artë të Kastriotit (e 5-ta në 18 ndeshje historike me Teutën, 10 të tilla). Teuta i komprometoi jo pak pozitat e saj, ndërkohë që në dy javët e fundit të Superligës do të presë Flamurtarin (në Durrës) dhe do të udhëtojë në Shkodër.

Flamurtari -Apolonia 1-0
Flamurtari duhet t’i ngrejë një monument sulmuesit Migen Memelli, pasi pogradecari shënoi golin e fitores minimale 1-0 ndaj Apolonisë në një ndeshje me shumë atmosferë e përgjegjësi në Vlorë. Golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar realizoi me penallti në minutën e 49-të, duke shënuar edhe golin e tij të 13-të sezonal dhe tani është me dy gola më pak se Mlladen Bërkiç (15, Apolonia) e një gol më pak se Daniel Xhafaj (14, Besa). Fitorja (e 12-ta sezonale) e ngjiti Flamurtarin në kuotën e 44 pikëve, duke fiksuar vendin e 6-të, ndërkohë që humbja e Apolonisë (e 13-ta sezonale) e la ekipin fierak në vendin e parafundit.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 31, 30.04.2010, 14:00

Dinamo-Laçi 2-4
Shënues: Fatjon Sefa 33’, Renato Mallota 89’ /Erjon Vuçaj 29, Arlind Nora 53’, Arlind Nora 81’ (p), Erjon Vuçaj 88’

Besa-Tirana 1-1
Shënues: Daniel Xhafaj 83’ (p)/ Sebino Plaku 86’

Kastrioti-Teuta 3-0
Shënues: Rigers Hoxha 44’, Renato Kalari 51’ Olsi Gocaj 71’

Skënderbeu-Shkumbini 3-1
Shënues: Milain Guerrib 20’, Elton Lika 31’, Enco Malindi 61’ /Sokol Branica 66’

Gramozi-Vllaznia 1-2
Shënues: Armand Sadiku 57’ / Zeljko Mrvaljevic 77’, Shtubina 89’

Flamurtari-Apolonia 1-0
Shënues: Migen Memelli 49’ (p)

Renditja
1. Dinamo 58
2. Besa 50
3. Laçi 48
4. Tirana 48
5. Flamurtari 44
6. Vllaznia 43
7. Shkumbini 42
8. Skënderbeu 41
9. Kastrioti 39
10. Teuta 39
11. Apolonia 38
12. Gramozi 22

1 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›