E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: “Nuk do të zgjedh kandidatura me profil politik”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje në takimin e dytë konsultativ me juristë të ndryshëm se nuk do të zgjedhë kandidatura me profil politik për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Në fillim të takimit, presidenti Topi i falënderoi të gjithë anëtarët e grupit të punës për gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës juridike drejt standardeve të njohura e të pranuara për gjyqtarë me integritet të lartë moral e profesional. Presidenti Topi vuri në dukje se “ky është një proces tejet i rëndësishëm, dhe jo thjesht formalitet. Ky proces është transparent, thelbësor analitik dhe i shtrirë në kohë”, - është shprehur kreu i shtetit. Presidenti gjithashtu përsëriti vendosmërinë për përzgjedhjen e kandidaturave më të spikatura profesionalisht. “Në këtë proces do të bëj kujdes të mos zgjedh kandidatura të një profili politik, për t’i dhënë jetë parimit të ndarjes së pushtetit politik nga pushteti gjyqësor e natyrisht pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Këto zgjedhje do të bazohen në dy shtylla thelbësore: integritetin moral e integritetin profesional. Procesi do të realizohet në transparencë, objektivitet dhe ekuilibër për të garantuar për të gjithë konsolidimin e shtetit të së drejtës. Dëshiroj të falënderoj të gjithë të interesuarit që kanë paraqitur kandidaturat e tyre në këtë proces, i cili ndodhet në fazën e vet përfundimtare”, - është shprehur Topi.
Ndërsa ekspertët ligjorë të pranishëm në tryezën konsultative të thërritur nga kreu i shtetit vlerësuan ecurinë dhe transparencën e këtij procesi për përmirësimin e kritereve në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e të Gjykatës së Lartë. Në takim ishin të pranishëm dhe morën pjesë në komunikim me presidentin përfaqësues të misionit “EURALIUS” të Bashkimit Europian, të Pranisë së OSBE-së e të programit “OPDAT” pranë Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›