Bruksel, ministri Basha takon Hillari Klintonin
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, takoi dje në Bruksel Sekretaren e Shtetit amerikan Hillari Klinton, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hup Shefer. Kryediplomatja amerikane vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe shprehu bindjen se në Strasburg/Kehl, Shqipëria do të ulet si anëtare me të drejta të plota. Ministri Basha mori pjesë dje në ministerialin e ministrave të Jashtëm të NATO-s. Në këtë takim, qëllimi kryesor i të cilit ishte përgatitja e dokumenteve që do të adaptohen në samitin e Strasburg/Kehlit nga kryetarët e shteteve/qeverive të vendeve anëtare të Aleancës, u diskutuan një numër i madh çështjesh që kanë të bëjnë me të ardhmen e NATO-s, në mënyrë të veçantë operacionet e saj në Afganistan dhe Kosovë, marrëdhëniet e saj me Rusinë, rritja e eficencës së organizatës etj. Në fjalën e tij përpara Këshillit të Atlantikut të Veriut, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, pasi falënderoi vendet anëtare për finalizimin në një kohë rekord të të gjitha procedurave të nevojshme për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, u shpreh se ndërsa Shqipëria përgatitet për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Aleancës në samitin e Strasburg/Kehlit 2009, pikërisht në 60-vjetorin e Aleancës, ne jemi më shumë se kurrë të vetëdijshëm për vlerat dhe parimet që mbart kjo Aleancë dhe më të vendosur se kurrë për të dhënë kontributin tonë për t’i ruajtur dhe për t’i avancuar ato, si në vendin tonë, në rajon dhe kudo. Në lidhje me angazhimin e NATO-s në Kosovë, ministri Basha vlerësoi vazhdimin e mëtejshëm të misionit të KFOR-it në konfigurimin aktual si parësor. Z. Basha mbështeti të gjitha konstatimet e bëra në Këshill, si nga Sekretari i Përgjithshëm, ashtu edhe nga ministrat pjesëmarrës se situata në Kosovë është përmirësuar rrënjësisht gjatë vitit të fundit që nga pavarësia. Z. Basha vlerësoi gjithashtu vendosjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës dhe bërjen e tij tërësisht funksional. Ministri Basha u shpreh se një nga sfidat më të mëdha të Kosovës është integrimi i pakicës serbe në institucionet dhe shoqërinë kosovare. “Ky integrim, - vijoi z. Basha, - ka si pengesë kryesore financimin dhe mbështetjen e strukturave paralele në Kosovë. Kapërcimi i kësaj pengese do të shtojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosove dhe rajon dhe do t’u shërbejë objektivave afatgjata të Aleancës në Ballkanin Perëndimor”. Për sa i përket angazhimit të NATO-s në Afganistan, ministri Basha, në emër të qeverisë shqiptare, shprehu mbështetjen e Shqipërisë për objektivat e NATO-s, si dhe gatishmërinë e Shqipërisë për rritjen e kontributit tonë, duke demonstruar në këtë mënyrë rolin e Shqipërisë si kontribuuese e sigurisë globale. Gjatë ministerialit, z. Basha u takua dhe me ministrat e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Belgjikës, Holandës, Norvegjisë, Çekisë, Kroacisë, Spanjës, Sllovenisë etj.
Në të gjitha takimet që z. Basha zhvilloi gjatë dy ditëve të qëndrimit të tij në Bruksel, si dhe gjatë Plenares së Këshillit të Atlantikut të Veriut, ai mori vlerësimin e qartë të të gjithë interlokutorëve për reformat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të arritjes së standardeve të Aleancës. Sekretari i Përgjithshëm, Shefer, dhe të gjithë homologët e tij i shprehën z. Basha kënaqësinë që në samitin e Strasburg/Kehlit Shqipëria dhe Kroacia do të jenë anëtare me të drejta të plota të Aleancës, duke shprehur në të njëjtën kohë edhe besimin në rolin dhe kontributin e çmuar që këto dy vende do të japin në forcimin e sigurisë në rajon e më gjerë. Me homologët e tij të vendeve të Bashkimit Evropian, z. Basha trajtoi dhe një numër çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimet në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.
Kuvendi miraton konventën, jo municioneve të rënda
Kuvendi miratoi dje konventën ndërkombëtare, sipas të cilës Shqipëria ndalohet të prodhojë municione të rënda shpërthyese. Konventa e cila quhet “Për municionet thërrmuese”, parashikon rregulla të reja në prodhimin e municioneve. Sipas kësaj konvente, Shqipëria nuk mund të prodhojë municione të rënda ashtu si 101 vende të tjera të botës që kanë miratuar këtë konventë. Por kjo konventë ndalon edhe magazinimin, përdorimin apo tregimin e këtyre municioneve. Një tjetër risi e kësaj konvente është se vendi ynë detyrohet që të pastrojë të gjithë territorin në veri të vendit i cili është i minuar. Kufiri në veri të vendit ka zona të minuara nga ushtria serbe dhe Shqipëria është e njohur për këtë problem. Në bazë të kësaj konvente, vendit tonë i lind e drejta të kërkojë financim për këtë projekt. Shqipëria ndodhet në listën e vendeve që kanë nevojë për ndihmë më eliminimin e këtyre minave.