E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipoteka, gati regjistrimi për 500 mijë pasuri



Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën të ditur se ka filluar regjistrimi I pasurive të paluajtshme, të cilat nuk kanë bërë regjistrimin fillestar. ZRPP-ja ka nisur punën me regjistrimin e 120 mijë pasurive të paluajtshme dhe janë në proces edhe 380 mijë pasuri të tjera. Projekti në fjalë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të bëjë të mundur që të gjitha këto pasuri që nuk kanë pasur mundësi të kishin regjistrim në Hipotekë, ta kenë tani. Ky projekt që zbatohet është i fokusuar në tri piketa kryesore, në regjistrimin fillestar të pasurive për ato pasuri të paluajtshme të cilat nuk kanë kaluar regjistrimin fillestar - tashmë ka filluar regjistrimi i 120 mijë pasurive të paluajtshme dhe janë në proces edhe 380 mijë pasuri të tjera, dixhitalizimi dhe përmirësimi i të dhënave të pasurive të paluajtshme është në përfundim e sipër në Zyrat Vendore të Durrësit dhe Tiranës, si dhe kompjuterizimi i sistemit. Projekti i dixhitalizimit të ZRPP-së po realizohet me ekspertët e Lantmateriet të Suedisë dhe përfundon brenda tri vitesh. Kjo do të bëjë që në një të ardhme të afërt, veprimet në ZRPP të kryhen në mënyrë dixhitale. Kjo do të bëjë që veprimet mbi pronën të kryhen në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt.

Parandalimi i regjistrimeve të paligjshme, fshirja e regjistrimeve të paligjshme të kryera më parë dhe krijimi i një regjistri të vetëm të pasurive të paluajtshme po ecin me ritmet e parashikuara. Kryeregjistruesi Arben Qirjako ka propozuar akte nënligjore dhe ka nxjerrë me dhjetëra urdhra dhe udhëzime për të normuar punën e ZRPP-së dhe për të minimizuar hapësirat ligjore, të cilat keqpërdoreshin më parë për të kryer regjistrime që vinin në kundërshtim me ligjin. Me anë të këtyre akteve tashmë është bllokuar mundësia për të krijuar regjistrime të paligjshme pronësie dhe është hapur rruga për të fshirë regjistrimet e paligjshme. Ndryshmet e kryera në ligj dhe plotësimi i tij me udhëzime nga qeveria shqiptare i kanë dhënë të drejtën ZQRPP-së të fshijë të gjitha mbivendosjet dhe regjistrimet e paligjshme. Për të forcuar besueshmërinë e dokumentacionit që shërben ZRPP-ja, pas çdo kërkese të qytetarit, në bazë të një vendimi, verifikohet në origjinë pasuria. Ky verifikim ose certifikon përfundimisht vlefshmërinë e regjistrimit të kryer, ose nxjerr në pah problemet që kanë të bëjnë me një regjistrim të tillë, duke parandaluar përdorimin e mëtejshëm të këtij regjistrimi, deri në momentin e përplotësimit të detyrimeve ligjore për të pasur një pasuri të regjistruar në mënyrë të ligjshme. Kjo metodë po krijon përfundimisht ligjshmërinë e regjistrimit të pronës.

Si do të kryhet regjistrimi

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, sipas kryeregjistruesit të Republikës, tashmë është transparente dhe e hapur ndaj publikut. Fillimisht u instalua aplikimi elektronik, i cili çoi në shmangien e radhëve dhe në transparencën e veprimeve ndaj qytetarëve, pasi atij i jepet një fletë aplikimi, ku ka të shkruar ditën e aplikimit, dokumentacionin e dorëzuar dhe ditën e kthimit të përgjigjes. Në rast të mosplotësimit të këtyre kushteve nga ana e punonjësve të ZRPP-së, bëhet verifikimi në mënyrë elektronike i të gjitha ankesave. Kjo ka minimizuar korruptimin e punonjësve, pasi punonjësit janë të detyruar të kthejnë përgjigje në afatin e përcaktuar. Drejtuesit e ZQRPP-së thonë se në këtë drejtim janë marrë edhe masa të tjera, si hapja e faqes zyrtare ku publikohen të gjitha të dhënat dhe vendimet e ZQRPP-së dhe qytetarët kanë mundësi të dërgojnë ankesat e tyre në mënyrë elektronike. Gjithashtu është vënë në dispozicion linja jeshile për të bërë denoncimet dhe të gjitha këto do të pasohen së shpejti me një fushatë për ndërgjegjësimin e publikut për punën e ZRPP-së dhe inkurajimin e tyre për të denoncuar çdo padrejtësi.

Kryeregjistruesi thotë se lufta ndaj korrupsionit nuk është konceptuar si një fushatë me pritshmëri dhe arritje sporadike, por si një reformë integrale e të gjithë sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. “Reforma ligjore dhe ajo në drejtim të modernizimit të sistemit kanë pasur natyrshëm si pasojë përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve - qofshin qytetarë, biznese apo institucione - kanë çuar në uljen e nivelit të korrupsionit dhe rritjes së besueshmërisë së institucionit në perceptimin e publikut”, - thotë ai. Reformat në ZRPP janë certifikuar edhe nga Banka Botërore, e cila në raportin e fundit “Të bësh biznes”, thotë se në regjistrimin e pronës Shqipëria ka përmirësuar 20 vende, duke zbritur nga vendi i 82-të në vendin e 62-të.

Gati tapitë e legalizimeve

Agjencia e Legalizimit të Ndërtimeve Informale bëri të ditur se do të nisë procesi i dhënies së tapive të legalizimit për 150 mijë ndërtimet e para pa leje. Kjo agjenci ka bërë të ditur se do të legalizohen edhe 11 mijë apartamente në shtesat e pallateve pa leje. Zotëruesit e këtyre ndërtimeve do të duhet të nisin të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë si dhe tarifat që vendos ligji për legalizimin. Shlyerja e tarifës së shërbimit për legalizim do të bëhet brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, proces i cili kryhet pas publikimit të listave emërore të subjekteve, ndërtimet e të cilave janë kualifikuar për legalizim. Qeveria ka përcaktuar dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilën banorët e zonave informale duhet ta paguajnë pranë njësive të qeverisjes vendore. Në ligjin për legalizimet janë përcaktuar edhe çmimet përkatëse, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë të reja. Këto çmime konsiderohen sociale. Ligji ka përcaktuar edhe çmimet e përfundimit të këtij procesi, sipas sipërfaqes dhe zonave informale përkatëse. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë shkon deri në 100 mijë lekë. Ndërkohë, për sipërfaqe deri në 500 metra katrorë, shuma që duhet paguar është 400 mijë lekë të reja. Për parcela ndërtimore brenda vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe toke deri në 100 metra katrorë varion deri në 200 mijë lekë, ndërsa deri në 300 metra katrorë është 400 mijë lekë të reja. Në lidhje me shtesat, çmimi për sipërfaqe deri në 50 metra katrorë është 100 mijë lekë të reja dhe maksimalja për 100 metra, është 400 mijë lekë të reja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›