Pango, opozita dhe pozita njëzëri: Të ikë nga Parlamenti
Pas skandalit të publikuar në “Fiks fare”, mazhoranca dhe opozita në Parlament, njëzëri kërkuan dorëzimin e mandatit të deputetit nga ana e Ylli Pangos, por duke përmendur dhe histori të shkuara skandalesh me ish-kryeministra dhe ish-ministra së të majtës. Gjatë seancës së djeshme kuvendore, përfaqësuesit e të dy kaheve politike e kthyen në një debat politik çështjen “Pango”. Palët bënë thirrje që Pangoja të largohet edhe nga Kuvendi. Deputetët e kthyen këtë çështje në temë të ditës teksa opozita e cilësoi si një fyerje që qeveria u ka bërë shqiptarëve. Por mazhoranca u distancua nga skandali, duke e quajtur atë individual dhe si standard të vendosur nga qeveria për largimin e Pangos nga qeveria menjëherë pas publikimit të skandalit. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u kujtoi socialistëve se mbartin mbi vete një mal me skandale, por përvojën më të freskët e kanë me lakuriqësinë e Edi Ramës. Ndaj Patozi i bëri thirrje opozitës që mos të përfitojë politikisht, pasi sipas tij: “Mbyllja e kësaj historie është edhe standardi që ne kemi vendosur dhe do të vazhdojmë ta mbajmë, standard që ju nuk e keni pasur kurrë”. “Një mazhorancë, një parti politike, një qeveri, një kryeministër nuk mund të gjykohet dhe vlerësohet kurrsesi në raport me atë që dikush prej nesh apo secili prej nesh mund të kryejë gjatë ushtrimit të detyrës”, - tha z. Patozi. Kryetari i deputetëve të PD-së akuzoi më tej kreun e PS-së për skandale të ngjashme duke thënë: “Të gjitha skandalet që keni pasur gjatë kohës që keni qeverisur Shqipërinë, kanë qenë edhe më të rënda. Ka pasur raste të ngjashme dhe ju keni kryetarin tuaj i cili të paktën prej 3-4 vjetësh qarkullon i zhveshur lakuriq para shqiptarëve”. Duke iu drejtuar deputetëve të majtë, Patozi u shpreh: “Askush prej jush nuk ka guxuar të thotë një fjalë për të. Ju, - akuzoi Patozi, - keni histori më të rënda të perversitetit të kryetarit tuaj në vilën e Pezës apo jashtë saj dhe ju heshtni, sepse jeni mësuar të bashkudhëtoni me skandalin. Ju dini ende histori të tjera perversiteti, brenda apo jashtë vilës së Pezës, por heshtni si peshku. Ju keni pasur KPD-të tuaja, qendra skandali”, - tha Patozi. Nga ana e saj, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, pasi sugjeroi largimin e Pangos nga Kuvendi, kërkoi ndjekje penale ndaj ish-ministrit të Kulturës. “Kryeministri e shkarkoi ministrin e turpit, por ai duhet t'u kërkojë ndjesë shqiptarëve për emërimin e tij. Kjo është një çështje e Parlamentit, i cili duhet të mbajë qëndrim të qartë e të prerë ndaj këtij rasti. Z. Pango nuk mund të ketë më imunitetin e deputetit dhe duhet të përgjigjet në bazë të Kodit Penal për veprën e kryer”, - tha Leskaj.