E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI i marrin anëtarët njëra-tjetrës



PS-ja dhe LSI-ja i marrin njëra-tjetrës anëtarësinë ku palët përballen me largime të ndërsjella. Në këtë mënyrë rikthehet pazari i rrjedhjes së anëtarësisë mes dy partive rivale të së majtës. Dje, tre anëtarë të Këshillit Bashkiak të Vlorës, përfaqësues të LSI-së kaluan tek PS-ja, ndërsa sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, prezantoi prurjet e reja brenda kësaj partie që vijnë nga radhët e selisë rozë, por edhe të PSD-së së Gjinushit. Dukurinë në fjalë prej disa javësh po e vuante se tepërmi LSI-ja së cilës i janë larguar disa drejtues drejt PS-së për shkak të listës së kandidatëve për deputetë, por me të njëjtën monedhë i është përgjigjur duke i marrë PS-së disa drejtues dhe ish-drejtues të strukturave të PS-së së Tiranës dhe komunave përreth. Ajo çfarë i bashkon të larguarit respektivë të dy partive, është se tek PS-ja dhe LSI-ja mungon demokracia e brendshme.

Largimet

Tre këshilltarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Vlorë deklaruan dje largimin nga LSI-ja për t;iu bashkuar së majtës. Tre këshilltarët: Albana Hodaj, Artan Licaj dhe Morand Hoxha janë larguar nga LSI-ja me pretendimin se nuk morën asnjë vlerësim nga kreu i kësaj partie, Ilir Meta. Ata kanë preferuar që për zgjedhjet e qershorit t’i përkasin grupimit të majtë, konkretisht PS-së.

Ndërsa LSI-ja theu më në fund heshtjen ndaj largimeve nga radhët e saj duke u përgjigjur me prurje të tjera. Pjetër Dema, ish-deputet i PS-së, ish-zv.ministër i Energjitikës, Hasan Hoxha, ish-deputet, drejtues i PS-së në Tiranë dhe anëtar i KPD-së të PS-së për shumë vite, Xhevahir Ahmetliu, ish-këshilltar i AD-së, Qemal Kuçi, ish-sekretar i PS-së në Tiranë, Rasim Allushi, këshilltar i PS-së në njësi bashkiake, Kujtim Bebja, këshilltar i PSD-së, Lufti Lami, ish-sekretar i PS-së për rrethin e Tiranës dhe këshilltar Bashkia Kamëz, Sajmir Ivziku, ish-sekretar i PS-së, rrethi Tiranë janë emrat që i janë bashkuar kësaj partie. Ashtu si anëtarët e LSI-së në Këshillin Bashkiak të Vlorës që akuzuan Metën për mosmirënjohje dhe kontroll të partisë, të njëjtat arsye përsëritën dhe ish-drejtuesit e Partisë Socialiste. Pjetër Dema, ish-deputeti i PS-së, tha se që kur erdhi Rama në krye të udhëheqjes në PS, e mohoi gjithë periudhën e pluralizmit dhe kontributit të PS-së në procesin e demokratizimit të Shqipërisë. “Rama nuk mund të mohonte këto 19 vite për progresin që është bërë nga qeverisja e të majtëve. Hap pas hapi është bërë një punë, është vendosur një tullë për progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë. Edi Ramën e konsideroj si një njeri jo të ndershëm të PS-së, sepse në këta 11 vjet ka qenë pjesë e qeverisjes”, - tha ai duke shtuar: “Unë kam qenë disa vite anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe në asnjë moment nuk kam dëgjuar z. Rama të ketë denoncuar PS-në si politikë të vjetër”. Ndërsa Hasan Hoxha, ish-deputet, drejtues i PS-së në Tiranë dhe anëtar i KPD-së së PS-së për shumë vite, akuzoi Ramën se është ai duke përgatitur ndarjen e tij nga kjo parti. “Ndarjen time me këtë parti e përgatiti vetë lideri i ri i saj, Edi Rama, i cili pas vitit 2005 përmbysi statutin e PS-së për interesa të një klani të ngushtë. Ai solli në PS njerëz me pikësynime të caktuara, të cilët kur kandidoja unë për deputet, punuan kundër meje dhe kundër PS-së, madje solli edhe humbjen e saj”, - shtoi Hoxha. Të njëjtat arsye paraqitën edhe të gjithë të larguarit e tjerë nga PS-ja. Megjithëse dukuria e rrjedhjes së anëtarësisë është e njohur mes këtyre dy partive, ajo pritet të thellohet për shkak të pakënaqësive që do të krijohen me shpalljen e listave të kandidatëve për deputetë.

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi udhëheqjen socialiste se po blen njerëzit e LSI-së. Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, vlerësoi se LSI-ja dënon “perversitetin dhe amoralitetin politik të Edi Ramës që prej ditësh po blen lart e poshtë në mënyrë qesharake individë të dobët që nuk përfaqësojnë asgjë dhe që nuk kanë asnjë kontribut as në të majtë dhe as në LSI”. Sipas Vasilit, amoraliteti i blerjes me leje ndërtimi dhe para të thata në dorë të individëve të tillë nuk i ka bërë asnjë dëm LSI-së, përkundrazi, ka pasur një efekt spektakolar pozitiv.

PS-ja sulmon drejtuesit e Policisë së Shtetit

Drejtuesit e Ministrisë së Brendshme janë bërë objekt i sulmeve të herëpashershme të opozitës. Edhe dje, deputeti i kësaj partie akuzoi drejtuesit e kësaj ministrie se Policia e Shtetit ka rekrutuar dhe vendosur në poste kyçe punonjës policie jashtë kritereve ligjore dhe militantë politikë. “Patetizmat e ministrit të Brendshëm nuk pijnë ujë. Ai bën mirë të zbatojë ligjin, të dëgjojë vërejtjet dhe shqetësimet e opozitës, të mbajë shënim, të lexojë e të kuptojë vërejtjet e parashtruara në vijimësi nga partnerët tanë ndërkombëtarë që jo vetëm monitorojnë, por dhe asistojnë strukturat ligjzbatuese, përfshirë dhe Ministrinë e Brendshme”, - tha Lutaj. Më tej, ai paraqiti disa raste, që sipas tij, janë shkelje flagrante e drejtuesit të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›