E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Pango tradhtoi moralin e PD-së



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, akuzoi ish-ministrin e Kulturës për imoralitet, duke i kujtuar Pangos se me veprimin e padenjë tradhtoi moralin e PD-së. Por, Topalli nuk u pajtua me qëndrimin e opozitës, madje deklaroi se në të kundërt nga veprimet e PS-së gjatë 8 viteve në pushtet, mazhoranca aktuale ka dëshmuar një kod të lartë moral. “Zotëria në fjalë ka tradhtuar moralin e Partisë Demokratike; zotëria në fjalë ka tradhtuar qytetarët shqiptarë që e kanë votuar; zotëria në fjalë nuk mund të trajtohet kaq butë sa e trajtoni ju zonjë. Jo, jo. Kjo është shumë e rëndë. Si kryetare e Parlamentit nuk kërkoj heqjen e imunitetit të tij, por i kërkoj që të lëshojë mandatin, sepse mandati i tij nuk përfaqëson asnjë qytetar shqiptar që e ka votuar. Si nënë jam e tmerruar, e frikësuar, se kemi fëmijë dhe nuk mund të imagjinohet që këta burra të sillen në mënyrë të tillë”, - tha Topalli. Ajo vlerësoi vendimin e Kryeministrit Berisha, duke e shkarkuar brenda 4 minutave, ndaj sipas saj, tregon moral të lartë. “E përshëndes Kryeministrin Berisha që për 4 minuta e shkarkoi. Jam e tmerruar nga burra të tillë që dalin lakuriq. Por të paktën, Kryeministri Berisha e shkarkoi brenda 4 minutave. Pyeteni pak veten tuaj”, - deklaroi në fund Topalli.

Paloka: Tek PS-ja lakuriqët bëhen kryeministër

Deputeti i PD-së, Edi Paloka, ironizoi dje në sallën e Parlamentit duke thënë se tek PS-ja, lakuriqët bëhen kryeministër. Duke përmendur faktin se morali i së djathtës nuk ngjason me atë të majtës, Paloka u kujtoi socialistëve se kryetari i tyre ka dalë lakuriq jo shumë kohë më parë. “Ai njeriu, në rast se është njeri, u shkarkua për 4 minuta. Ju keni 444 ditë që mbani kryetar një njeri që doli lakuriq dhe vazhdon të mbrojë lakuriqësinë nëpër Shqipëri. Pjesë e moralit tuaj është se nëse ne e shkarkojmë, ju doni ta bëni kryeministër. Tek ju lakuriqët bëhen kryeministër. Ka shumë skandale që ju vetë i keni bërë publikisht”, - tha Paloka. Deputeti i PD-së Paloka kujtoi një rast të publikuar në media vite më parë, ku përfshihej një këshilltare e ish-kryeministrit. “Një zyrtar i lartë merrte këshilltaren e Kryeministrit me vete. Një zyrtare e cila ishte e afërt e një zyrtari tjetër që bëri karrierë në partinë tuaj duke çuar motrën e tij atje”, - u shpreh Paloka. Ai shtoi se me paturpësinë më të madhe, në faqen e internetit bënte programin dhe në këtë program, shkruante se në orën kaq mbërritja në aeroport, në orën kaq dreka dhe në orën kaq, seks. “Është në një faqe interneti dhe në këtë faqe interneti, kjo këshilltarja kishte pozuar nudo. Janë skandale që ju i dini, ju nuk keni reaguar, madje ata janë njerëz që kanë bërë karrierë”, - deklaroi Edi Paloka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›