E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, 2 marrëveshje Kosovë-Serbi zbatohen në Nëntor

PRISHTINË- Me ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel u zhvilluan takime të ekspertëve të Republikës së Kosovës me ekspertët nga Serbia, për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut teknik për lirinë e lëvizjes dhe për regjistrat kadastral.
Në një komunikatë të dhënë pak më parë nga zyra e shtypit të Kryeministrit të Kosovës bëhet e ditur se lidhur me marrëveshjen për kthimin e dokumentacionit kadastral, ekspertët e të dyja vendeve kanë rënë dakord që më 20 nëntor 2011 të aprovojnë planin për implementim, dhe po ashtu të fillojë me zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje.
"Me këtë marrëveshje, Serbia obligohet t'i kthejë dokumentet kadastrale të marrë nga Kosova gjatë luftë. Ndërsa, Kosova merr obligime të kompletojë sistemin e vet kadastral si dhe në mënyrë të veçantë t’i zgjidhë çështjet kontestuese kadastrale konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe standardeve evropiane”, thuhet në komunikatë.
Më tej njoftohet se “në takimin tjetër, atë për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë u përafruan më tej qëndrimet mes palëve rreth planit të implementimit. Qeveria e Kosovës në këtë takim konfirmoi se i ka përmbyllur gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e kësaj marrëveshje.
Po ashtu u konfirmuan përgatitjet që më 1 nëntor në Kosovë të fillojë zbatimi i asaj pjese të marrëveshjes për heqjen nga përdorimi të tabelave ilegale të automjeteve dhe zëvendësimi me ato legale. Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe modalitetet e implementimit në praktikë ku ditët në vijim u tha se do të jetë koha e fillimit të implementimit".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›