E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli u bllokon dietat socialistëve, asnjë lekë për karburant e telefon

Nga 70 mijë lekë që duhet të përfitonte çdo deputet i PS-së, Topalli u ka dhënë për muajin mars vetëm 18.3 mijë lekë për dietat


TIRANË - Reagimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ndaj deputetëve socialistë për qëndrimet e tyre politike ndaj legjislativit nuk njeh kufij. Pasi hezitoi për ditë me radhë që t'i japë pagën mujore, tashmë ajo ka vendosur që t'i penalizojë duke u "grabitur" të ardhurat e tjera që ata përfitojnë në formën e kompensimit të karburantit, telefonit dhe dietave.


Nga 70 mijë lekë që duhet të përfitonte çdo deputet në total në formën e shpenzimeve për kryerjen e misionit si përfaqësues të popullit në zonat e tyre elektorale, kryeparlamentarja Jozefina Topalli u ka dhënë për muajin mars vetëm 18.3 mijë lekë për dietat, duke u mbajtur paratë për kompensimin e karburantit dhe telefonit.


Shuma


Vendimi politik për të mos normalizuar marrëdhëniet me institucionin e Kuvendit po u kushton jo pak deputetëve socialistë, të cilët megjithëse mundën të zgjidhin problemin e pagës, po privohen nga një sërë detyrimesh të tjera financiare që u siguron ligji për kryerjen e detyrës së tyre si të zgjedhur të zonave përkatëse.


Kështu mësohet se në llogaritë e tyre bankare ky institucion u ka kaluar për shpenzimet e muajit mars vetëm 18.3 mijë lekë, por pa e detajuar si shumë, ndërkohë që në bazë të vendimeve të vet Kuvendit atyre u takon 45 mijë lekë për karburant, 17 mijë lekë për shërbimin e telefonit dhe 180 mijë lekë si dieta për kohën që kalojnë në zonat e tyre elektorale.


Të njohur me shumën e shtuar në llogaritë e tyre bankare disa nga deputetët socialistë i janë drejtuar zyrës së trajtimit financiar, ku kanë kërkuar shpjegime se pse iu është caktuar një masë kaq e vogël kompensimi financiar për shpenzimet e muajit mars.


Zyra e financës iu ka dhënë një përgjigje sa qesharake aq edhe joligjore, duke argumentuar se për përcaktimin e kësaj shume janë përpjesëtuar shpenzimet që u takon me pjesëmarrjen në seanca, në mbledhjet e komisioneve dhe votime. Një kriter përcaktues ky që nuk është i bazuar në asnjë nga ligjet apo vendimet që rregullojnë marrëdhëniet financiare të deputetit.


Kjo për vet faktin se kompensimi i shpenzimeve të këtij karakteri i jepet deputetit për aktivitetet që ai kryen si i zgjedhur i popullit, ku përfshihen vizitat në zonat elektorale, angazhimi në zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë zgjedhësit etj.


Aktivitete këto që nuk pengohen aspak nga vendimi i socialistëve për të mos marrë pjesë në shqyrtimin apo votimin e ligjeve në seanca plenare. Ndërkohë që edhe vendimi i Kuvendit i vitit të shkuar përcakton se kriteri i vetëm përcaktues për shpenzimet e karburantit është largësia e zonës elektorale nga Tirana.


Tabulatet


Nën insistimin e deputetëve socialistë zyra e trajtimit të deputetëve ka përgatitur më pas në datën 15 prill lajmërimin e kreditimit për shpenzimet e muajit mars të këtij viti, ku ndryshe nga sa iu tha me gojë tashmë shuma prej 18.3 mijë lekësh ishte përcaktuar vetëm si dietë.


Nga sa vihet re në dokumentin përkatës, në detajimin që i bëhet shpenzimeve të deputetëve socialistë për muajin mars, ata janë trajtuar financiarisht vetëm për dietat, ndërsa u janë njohur zero lekë për shpenzimet e karburantit dhe telefonit.


Një logjikë kjo që tregon qartë vështirësinë në të cilën është vënë kjo zyrë për të argumentuar vendimin penalizues të kryetares së Kuvendit ndaj të zgjedhurve socialistë. Kjo pasi në rast se do të kishte vlerë argumentimi i mësipërm për të përpjesëtuar shpenzimet me pjesëmarrjen në seanca, komisione dhe votime, atëherë shuma e dhënë do të shpërndahej në tre kolona, karburant, telefon dhe dieta dhe jo vetëm në një.


Por, nga ana tjetër lajmërimi i kreditimit të shpenzimeve tregon se Kuvendi ka njohur në mënyrë të plotë shpenzimet për dietat e deputetëve, por jo ato për karburantin dhe telefonin, çka sërish përbën mungesë logjike, pasi në rast se do të penalizoheshin për moskryerjen e detyrimeve të tyre në zonat përkatëse, atëherë ata nuk duhet të trajtoheshin as për dietat.


Tabelë


Shuma që duhet të përfitojë një deputetë për karburantin është 45 mijë lekë në muaj

Tarifa e telefonit është 700 deri në 900 impulse, e konvertuar kjo me një vendim të Kuvendit në 17 mije lekë për çdo deputetë


Dieta që përfiton një deputet që banon në Tiranë, 6 ditë në muaj me nga 30 mijë lekë


Dieta që përfiton një deputetë i zgjedhur në rrethe dhe që nuk banon në Tiranë, 12 ditë me nga 30 mijë lekë



Paga mujore 1 milionë 250 mijë

Tabelë

Shuma që përfiton çdo deputet për karburantin sipas zonave

Një deputet i Tiranës trajtohet me 37 mijë lekë
Një deputet i Durrësit trajtohet me 37 mijë lekë
Një deputet i Lezhës trajtohet me 40 mijë lekë
Një deputet i Elbasanit trajtohet me 42 mijë lekë
Një deputet i Dibrës trajtohet me 57 mijë lekë
Një deputet i Vlorës trajtohet me 55 mijë lekë
Një deputet i Shkodrës trajtohet me 49 mijë lekë
Një deputet i Fierit trajtohet me 45 mijë lekë
Një deputet i Beratit trajtohet me 45 mijë lekë
Një deputet i Kukësit trajtohet me 56 mijë lekë
Një deputet i Korçës trajtohet me 53 mijë lekë
Një deputet i Gjirokastrës trajtohet me 56 mijë lekë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›