Rama: Protesta, deri në mosbindje civile

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje gjatë bashkëbisedimit me gazetarët se rritja ekonomike për vitin 2009 ka qenë 0
TIRANË - Kreu i opozitës, Edi Rama, akuzoi dje qeverinë shqiptare se jo vetëm nuk po pranon të kryejë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit, por nuk po reflekton edhe ndaj situatës ekonomike, e cila, sipas tij, gjatë vitit 2009, është rritur vetëm me 0 për qind.
Gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me gazetarët, Rama vuri në dukje se shumica në pushtet po mundohet të fshehë krizën ekonomike, duke shfaqur shifra të rreme dhe që, sipas tij, ajo po vazhdon politikën ekonomike shkatërruese duke rënduar gjithçka mbi qytetarët shqiptarë.
"Rritja ekonomike në vitin 2009, praktikisht ka qenë 0 dhe po ashtu që i gjithë trendi i grafikut të rritjes vazhdon të shkojë drejt përkeqësimit. Njëri aspekt është mbulimi i krizës, dhe aspekti tjetër është trajtimi i krizës në mënyrën më të papërshtatshme, duke e mbuluar, duke fabrikuar shifra të rreme për të thënë se s'jemi në krizë dhe duke vazhduar me një politikë ekonomike shkatërruese që shton kostot për qytetarët, shton kostot për ekonominë e vendit, shton kostot e të gjithave bashkë për të ardhmen dhe nuk krijon asnjë mundësi hë për hë për të pasur rrugëdalje nga kjo krizë", - tha dje Rama.
Ai specifikoi se kriza ekonomike është e lidhur drejtpërdrejt me keqqeverisjen e mazhorancës, e cila, sipas Ramës, erdhi në pushtet duke deformuar vullnetin e popullit. Për këtë arsye, sipas tij, PS-ja do të protestojë për të garantuar zgjedhjet e ardhshme, si dhe për të ndalur rënien e ekonomisë.
Sipas kryesocialistit në fokus të Kongresit të Partisë Socialiste, përveç krizës politike, dhe ndryshimeve në programin e kësaj force politike, do të jetë edhe situata ekonomike. "Rrënimi ekonomik i vendit është pasojë e drejtpërdrejtë e keqqeverisjes dhe keqqeverisja është rezultat i drejtpërdrejtë i votës së manipuluar të qytetarëve, të cilët nuk e kanë votuar këtë pushtet dhe të cilët në 28 qershor kanë kërkuar ndryshimin e tij dhe jo rikonfirmimin e tij.
Kështu që, pa asnjë dyshim ne sot jemi më të vendosur se kurrë që të kërkojmë transparencën e zgjedhjeve të shkuara, për të garantuar zgjedhjet e ardhshme dhe njëkohësisht të protestojmë për të ndalur rrënimin ekonomik. Janë të dyja të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra - tjetrën", - u shpreh ai.
Sipas Ramës, Shqipëria vuan nga moszbatimi i ligjeve dhe mazhoranca, sipas tij, nuk po zbaton edhe ligjin e zgjedhjeve, i miratuar më parë me konsensusin e të dyja palëve. Në këtë mënyrë, sipas Ramës, kur interesat e pushtetit bien ndesh me ato të qytetarëve, atëherë populli duhet të protestojë deri në mosbindje civile.
"Kemi diskutuar dhe miratuar me konsensus me palën tjetër një ligj për zgjedhjet dhe sot kemi dy palë në konflikt për shkak të mos zbatimit të këtij ligji. Ky është realiteti dhe në rast se mos zbatimi i ligjit kthehet në normë për çdokënd dhe kudo ku interesat e pushtetit bien ndesh me interesat e qytetarëve, me interesat e cilitdo grupi interesi, me interesat e çdo shtrese shoqërore në tërësi, atëherë jemi në kushtet kur populli duhet të marrë fatet e veta në dorë, jemi në kushtet kur protesta është i vetmi mjet që i ka mbetur popullit deri në mosbindje civile", - nënvizoi kreu i PS-së.
Ai evidentoi faktin se ndërkombëtarët kërkojnë zgjidhjen e krizës politike nëpërmjet transparencës së plotë të zgjedhjeve. Për sa i përket qëndrimit në vijim të PS-së me Parlamentin, Rama tha se për sa kohë që Parlamenti funksionon mbi vjedhjen e votave dhe nuk merr përsipër që të hetojë zgjedhjet atëherë, opozita do të ketë një qëndrim mohues ndaj tij.
"Padyshim na takon ne që t'i japim krizës një zgjidhje dhe Partia Socialiste me opozitën e bashkuar është në këtë betejë pikërisht për ta zgjidhur këtë krizë që nuk ka të bëjë fare me mënyrën se si ne qëndrojmë ndaj Parlamentit, por ka të bëjë me vetë legjitimitetin moral të këtij parlamenti, me legjitimitetin politik të këtij parlamenti, i cili qëndron mbi një krim elektoral që për sa kohë nuk do të ketë kurajën dhe vullnetin ta hetojë në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar, për aq kohë nuk do ta gëzojë mbështetjen tonë të plotë", - tha më tej Rama.
Ai shtoi se dorëzimi i Pyetësorit nga qeveria shqiptare, duhet të jetë një moment reflektimi nga ana e Kryeministrit Berisha, që së bashku me opozitën të rivendoset demokracia dhe parlamentarizmi.
Apeli i KE-së: Shmangi ndërhyrjet politike
TIRANË - Këshilli i Europës i ka bërë dje apel pushtetit qendror dhe atij vendor që të rrisin bashkëpunimin midis tyre, si dhe të shmangin ndërhyrjet politike në funksionimin e qeverisjes vendore. Ky apel vjen në një kohë kur dy pushtetet e qeverisjes janë në një konflikt të hapur midis tyre, për shkak se në shumë bashki të drejtuar nga të majtët, buxhetet janë bllokuar nga qeveria.
Drejtori për Institucionet Demokratike të Këshillit të Europës, Childerik Schaapveld, deklaroi dje gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Tiranë se nevojitet një qeverisje më e mirë në të gjitha nivelet dhe kjo qeverisje, sipas tij, nuk duhet të marrë konotacione politike, ndërsa specifikoi se situata politike në vend sjell pasoja për zhvillimin e bizneseve.
"Jam në dijeni të situatës politike në Shqipëri dhe do të doja të theksoja pikërisht natyrën jopolitike të asaj që ne përpiqemi të bëjmë, duke u fokusuar tek ajo që vërtetë ka rëndësi e që na afron me shumë krah njeri-tjetrit.
Dhe, automatikisht, ne këtë sens fitojmë të njëjtën gjë: qeverisje më të mirë në të gjitha nivelet. Doja të ritheksoja impaktin ose pasojën që sjell te bizneset situata politike në Shqipëri.
Ky është mesazhi që ne të Këshillit të Europës japim për qeverisjen qendrore dhe atë lokale në Shqipëri: fokusim tek ajo që vërtet doni dhe asgjë tjetër më shumë se kjo nuk do të ndikonte në bashkimin e forcave në interes të qytetarit dhe askujt tjetër", - tha dje Schaapveld.