E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terrorizmi pas revolucioneve

20-05-2011 / Nga Daniel Byman (Foreign Affairs)

Ja si mund t’i vijnë në ndihmë (ose dëmtojnë) xhihadistët protestat e ndodhura kohët e fundit

Edhe pse revoltat paqësore të dimrit i dëmtuan mjaft xhihadistët, ata gjithashtu i dhanë më shumë liri grupeve operacionale terroriste. Për t’i parandaluar këto grupe të përfitojnë nga mundësitë e hapura tashmë për ta, Uashingtoni duhet të mbajë nën presion al Kaedën dhe të bashkëpunojë ngushtë me regjimet e reja të vendosura tashmë

Më 17 dhjetor, Mohamed Bouazizi, një tregtar në Tunisi, i vuri zjarrin vetes për të protestuar kundër qeverisë. Vdekja e tij nxiti protesta në mbarë Tunizinë; në më pak se një muaj, protestat larguan njëherë e mirë presidentin tunizian Zine el-Abidine Ben Ali.
Egjipti, vendi më i populluar dhe më me ndikim në botën arabe, shumë shpejt ndoqi shembullin e Tunizisë.
Al Kaeda i kaloi këto ngjarje dramatike në heshtje. Vetëm aty nga mesi i shkurtit Ayman al-Zawahiri nisi komentet. Por edhe atëherë, ai nuk iu drejtua drejtpërdrejt revolucioneve dhe nuk shpjegoi se si duhej të reagonin xhihadistët. Në vend që të bënte këtë, ai pretendoi që të zhvillohej revolucioni tunizian “kundër agjentit të Amerikës dhe Francës”, që u përpoq trimërisht ta transformonte luftën kundër korrupsionit dhe shtypjes, në një fitore për xhihadistët anti-perëndimorë. Në Egjipt, Zawahiri ofroi një leksion historik paksa të hallakatur, duke përmendur Napoleonin dhe arriti deri te tirania e qeverisë së Mubarakut.
Ai e shpalli këtë deklaratë në Egjipt, më 18 shkurt, një javë pasi dha dorëheqjen Hosni Mubarak dhe ofroi udhëheqje për ndjekësit potencialë, lidhur me faktin se si duhej parë revolucioni apo si duhej reaguar ndaj tij. “Ky revolucion është një mospranim i al Kaedës” deklaroi senatori John McCain gjatë një vizite në Kajro më 27 shkurt.
Dhe, në të vërtetë, kur u zbulua shpella e bin Ladenit, bota arabe dukej më pak premtuese se disa muaj më parë. Edhe pse bin Laden dhe al Kaeda u përpoqën të përmbysnin qeveritë arabe për më shumë se 20 vjet, rënia e diktaturës së fortë në Tunizi dhe Egjipt i gjeti ata të patundur dhe kësisoj u minua mesazhi i xhihadit të dhunshëm.
Sidoqoftë, al Kaeda dhe aleatët e tij mundën të përfitonin nga këto protesta në masë. Tani për tani, al Kaeda ka më shumë liri operacionale veprimi dhe aleatët e bin Ladenit do të kërkojnë të shfrytëzojnë ndonjë revoltë tjetër në muajt apo vitet e ardhshme.

Përktheu Rudina Dahri

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›