E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Koha për reformë në gjyqësor dhe luftë ndaj korrupsionit

19-10-2011 / Gazeta 55

Gjatë konferencës “Reformimi i sistemit të imuniteteve në Shqipëri: Rruga përpara”, presidenti Topi dhe përfaqësuesit e Edi Ramës janë detyruar të pranojnë rekomandimin e BE-së se herët a vonë, në Shqipëri duhet të aplikohet standardi evropian i heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, u shpreh dje në konferencën “Reformimi i sistemit të imuniteteve në Shqipëri: Rruga përpara”, në kuadër të dy projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, “Projekti kundër korrupsionit në Shqipëri” (PACA) dhe “Projekti për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri” (Euralius), se “këto projekte shërbejnë që të implementohen ligjet e duhura, për ta çuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri në linjat e standardeve evropiane, të transparencës dhe pavarësisë. BE ka dhënë 4.4 milionë euro nga taksapaguesit evropianë për këtë çështje, duke dhënë kështu një sinjal mjaft të qartë se lufta kundër korrupsionit dhe konsolidimi i sistemit të drejtësisë janë thelbësore për kriteret politike për anëtarësimin në BE”, u shpreh Sequi.
Sipas tij, kriteret politike kërkojnë institucione të forta, që garantojnë demokraci dhe sundimin e ligjit.
“Trajtimi i këtyre çështjeve është i një rëndësie thelbësore, jo vetëm për detyrimet e Shqipërisë gjatë procesit para anëtarësimit, por edhe për reputacionin ndërkombëtar të vendit, për investimet e huaja dhe për cilësinë e qeverisjes që gëzojnë qytetarët shqiptarë”, tha ambasadori Sequi.
Sipas tij, “përvoja në rajon ka treguar se rëndësia e reformës në gjyqësor dhe luftës kundër korrupsionit me vendosmëri dhe herët në kohë, është mirë që të bëhet në procesin e para anëtarësimit”.
Dhe kjo, shtoi Sequi, “është theksuar nga Komisioneri Fyle në prezantimin e tij në Bruksel. Më shumë duhet të përqendrohemi tek çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Shqipëria ka nevojë që të tregojë, që ka një ecuri gjithëpërfshirëse dhe bindëse në këto fusha, për të përmbushur kërkesat, që të bëhet  një vend kandidat dhe të tregojë që vendi ka institucione, të cilat janë në gjendje të ushtrojnë qeverisje demokratike dhe të mbrojnë të drejtat themeltare të njeriut”, u shpreh Sequi.
Ambasadori Sequi theksoi se “Komisioni Evropian ka dhënë një vlerësim vjetor për progresin e Shqipërisë dhe për këtë arsye jam veçanërisht i gëzuar që kaq shpejt, pas publikimit të raportit të progresit të KE, kemi mundësi që të përqendrohemi në disa nga çështjet më kryesore, çështje që janë edhe sot baza e kësaj konference, si çështja e imunitetit”.
Sipas tij, “raporti i progresit flet për ato çështje që janë më të rëndësishme për të gjitha vendet e rajonit dhe që duhen përmbushur nga këto vende. Konkluzionet e dokumentit të strategjisë të vitit 2011 për Shqipërinë, theksojnë se kjo duhet arritur nëpërmjet kufizimit të imunitetit të gjyqtarëve, pra duhen ndërmarrë hapa në luftën ndaj korrupsionit”.
Imuniteti, shpjegoi Sequi, “duhet kuptuar në mënyrën e duhur, pasi nuk i jep një pozicion të caktuar, i cili i vendos gjyqtarët apo zyrtarët e caktuar mbi ligjet. Imuniteti do të thotë që gjyqtarët dhe zyrtarët mbajnë edhe lirinë e tyre për të funksionuar në mënyrë të pavarur, ndërkohë që ende ruajnë përgjegjësinë e madhe që kanë për të dhënë llogari”.
Në këtë kontekst, Sequi tha se “iniciativa e sotme do t’ju japë një shtysë proceseve  që nevojiten për të arritur një kuadër të duhur ligjor për të lufutuar korrupsionin në të gjitha nivelet. Angazhimi i fortë politik në të gjitha nivelet e duhura, në një marrëveshje të gjerë mes forcave politike, është i nevojshëm për të pasur ecuri drejt BE, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, me një konsensus, që kjo politikë të vendoset në bazën e një konsultimi të gjerë me të gjitha palët e interesuara”, tha Sequi.
Ambasadori Sequi tha se, “Europa është këtu dhe është e gatshme t’ju ndihmojë, por për të ecur përpara në këtë aspekt duhet pasur parasysh që kjo do jetë një përpjekje shqiptare. Ky është vendi juaj, kjo është përgjegjësia juaj. Jemi të sigurt që me përkushtim dhe vendosmëri të fortë Shqipëria do të eci përpara drejt BE, që në fund të fundit është në interesin e qytetarëve shqiptarë”.
Ndërkohë, kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmaili në fjalën e tij shprehu qëndrimin e mazhorancës në lidhje me propozimet e bëra nga ekspertët e BE-së në lidhje me ndryshimet në Kushtutë për imunitetet.
“Ne kemi patur një qëndrim parimor, nuk ka nevojë për imunitete parlamentarësh, sikurse nuk ka nevojë për imunitete ofiqarësh të lartë. Ajo që ne paralajmërojmë me forcë është kurthi permanent që kundërshtarët e heqjes së imuniteteve (PS-ja ka qenë kundër ndryshimeve kushtetuese mbi imunitetet kur ishte në mazhorancë) vendosin gjithmonë sa herë diskutohet. Pra kundërshtarët e heqjes së imuniteteve janë gjithmonë dakord që kjo të bëhet me ndryshime kushtetuese. Por nuk japin kurrë votën për ndryshimet kushtetuese”, u shpreh Rusmali.
Ministri i Drejtësisë, ju kujtoi të pranishëmve në konferencë se, mazhoranca e ka pasur dhe e ka prioritet, reformimin e imunitetit.
“E djathta dhe mazhoranca e kanë shpallur si prioritet strategjik të programit politik  reformimin e imuniteteve, të orientuar drejt kufizimit dhe heqjes së tij, sidomos për veprat penale të korrupsionit që në vitin 2005. Të bindur absolutisht mbi përgjegjësinë para qytetarëve muaj më parë,deputetët e mazhorancës vendosën njëzëri të heqin zhgunin e imunitetit dhe te jenë përballë ligjit dhe ndëshkimit për korrupsion njëlloj si qytetari i thjeshtë. Askush nuk e pengon prokurorinë të hetojë të mbledhë prova, dëshmi, shkresa para apo pas marrjes së autorizimit, si për qytetarët ashtu dhe për zyrtarët me imunitet”, shtoi më tej Eduart Halimi, Ministri i Drejtësisë. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›