Mirëpresim çdo përpjekje për të forcuar rolin aktiv e të pavarur të shoqërisë civile në luftën antikorrupsion”
Kryeministri Sali Berisha takon Prof. Dr. Peter Eigen, themelues dhe Kryetar i Bordit Këshillimor të “Transparency International”
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Prof. Dr. Peter Eigen, themelues dhe Kryetar i Bordit Këshillimor të Transparency International, i cili po viziton Shqipërinë me rastin e prezantimit nga Fondacioni Konrad Adenauer të përkthimit të librit të tij “Rrjeti i korrupsionit”. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha e njohu Eigen me përpjekjet e vazhdueshme dhe reformat e njëpasnjëshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në luftën antikorrupsion dhe rezultatet e prekshme në këtë drejtim. Kryeministri shtroi nevojën e fokusimit të luftës antikorrupsion në fusha të caktuara. Fokus i veçantë iu vu transparencës në sektorin e industrive nxjerrëse e përpunuese, të cilat janë temat e librit të paraqitur nga Prof. Dr. Eigen. Gjithashtu në takim u nda i njëjti mendim për rëndësinë themelore të rolit aktiv e të pavarur të shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri nënvizoi kontributin e qeverisë në financimin pa kushte nga buxheti i shtetit të Bordit të Shoqërisë Civile, për projekte me fokus kryesor luftën antikorrupsion. Ai nënvizoi se çdo përpjekje për të forcuar rolin aktiv e të pavarur të shoqërisë civile në këtë luftë, është e mirëpritur.
...