Brukseli dhe Serbia, deklarata të kundërta për 9 dhjetorin
Blerina Olldashi
Vetëm pak ditë para shtrirjes në Kosovë të misionit të BE-së, EULEX, Brukseli dhe Serbia kanë dalë me deklarata të ndryshme. Ndërsa zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, ka konfirmuar se misioni europian për drejtësi dhe polici do të ketë praninë e tij në veri të Kosovës që në ditën e parë të shtrirjes, sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, është shprehur skeptik përsa i përket shtrirjes së tij në veri më 9 dhjetor. Sipas Limdal, misioni në veri do të ketë një numër më të vogël pjesëtarësh, të vendosur në gjashtë stacione policore dhe në Gjykatën në veri. Zëdhënësja Limdal shpreson në përkrahjen e qytetarëve të Kosovës, pas periudhës së gjatë të paqartësisë rreth misionit. Por Ivanoviç, nga ana e tij, e ka konsideruar afatin e përcaktuar nga Brukseli si hipotetik, pasi vendimi përfundimtar pritet të merret një ditë para 9 dhjetorit.
“Ky është një afat hipotetik, pasi një ditë përpara do të mbahet mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE-së, ku me siguri do të merret vendimi politik që do të mundësojë operacionalizimin e shtrirjes së EULEX-it”, - ka thënë Ivanoviç. Një tjetër problem i rëndësishëm përsa i përket këtij vendimi janë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Shumica e tyre pranojnë të bashkëpunojnë me misionin, por sipas tyre shtirja në veri duhet të jetë graduale. Kushti kryesor i vendosur nga ata janë bisedimet me përfaqësuesit e komunitetit për mënyrën si do të funksionojë ky mision. Ndërkohë, kryetari i së ashtuquajturës “Bashkësi e komunave serbe”, Marko Jakshiç, është shprehur se komuniteti serb nuk do të bashkëpunojë me EULEX-in, por vetëm me misionin e UNMIK-ut, sepse misioni EULEX, edhe pse i modifikuar, përsëri legjitimon pavarësinë e Kosovës. Udhëheqësit politikë kosovarë kanë kërkuar nga zyrtarët e misionit EULEX që të kenë prioritet shtrirjen në veri të Kosovës. Sipas tyre, nëse kjo nuk ndodh në datën 9 dhjetor, atëherë misioni do të shpallet i diskutueshëm nga ana e institucioneve të Kosovës. Por njohësit e rrethanave politike në Kosovë thonë se është iluzion të mendohet që misioni EULEX më datën 9 dhjetor të shtrihet edhe në veri të Kosovës. Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Kosovën, Peter Feith, në një deklaratë është shprehur se EULEX-i ka nevojë për një mbështetje kombëtare në Kosovë ose, në të kundërtën, ai do të përfundojë me dështim.
Thaçi për incidentet: “Askush nuk e ndalon shtrirjen e EULEX-it”
Pas incidenteve që ndodhën dy ditë më parë në Mitrovicë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje për të mbështetur shtrirjen e misionit EULEX në gjithë territorin e Kosovës. Kreu i qeverisë kosovare theksoi se “të gjithë duhet të dinë se nuk do të ketë asnjë pengesë që do të mund të ndalojë këtë proces”. Deklarata e kryeministrit u bë pas një takimi që zhvilloi me ministren suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e cila ndodhej për një vizitë në Prishtinë. Dy incidentet e ndodhura të mërkurën në mbrëmje në veri të Kosvoës, ku u sulmuan 7 makina me targa kosovare si dhe një gjimnaziste cilësohen si përpjekje për të penguar shtrirjen e EULEX-it në këtë zonë. Incidentet ndodhën vetëm pak ditë para se misioni EULEX të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës, përfshi këtu edhe zonën veriore të Mitrovicës, ku banojnë serbët. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, është shprehur se ende nuk dihen motivet apo autorët e këtyre sulmeve.
Shtyhet shkrirja e TMK-së në Kosovë
Trupa Mbrojtëse e Kosovës, TMK, nuk do të shkrihet në datën 10 dhjetor, ashtu siç ishte parashikuar, por ndoshta në muajin janar. Shkak është bërë vonesa e emërimit të komandantit të përgjithshëm të Forcës Kosovare të Sigurisë. Në një komunikatë për media thuhet se shtyrja e këtij procesi është thjesht për çështjen e emërimit. TMK-ja sqaron se ka bërë të gjitha përgatitjet, por është vetëm një nga aktorët dhe nuk ka mundësi të caktojë axhendën. Informacione të tjera bëjnë të ditur se emri i komandantit aktual të TMK-së, Sulejman Selimi, është prezantuar si propozim për postin e ri, por konfirmimi do të vijë bashkë me dy zyrtarë të lartë policor. Deri atëherë, Trupat Mbrojtëse të Kosovës do të vazhdojnë normalisht aktivitetet e tyre të përditshme, njofton zyra për informim publik e TMK-së. Procesi i transformimit të TMK-së ishte parashikuar përfundonte më 10 dhjetor.
5 Dhjetor 2008